Mazhoranca miraton "fuqizimin" e ALUIZNI-t
Kuvendi ka miratuar dje vetëm me 63 vota kundër dhe 37 abstenime një ndryshim në ligjin "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje". Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe në komisionet parlamentare, opozita votoi kundër këtij ligji, i cili sipas saj, i merr kompetencat pushtetit vendor dhe ia kalon ato ALUIZNI-t. Por mazhoranca theksoi se qëllimi i këtij amendimi, i iniciuar si nismë e një grupi deputetësh të mazhorancës, synon rregullimin e një boshllëku ligjor të krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i datës 2 shkurt 2008, e cila vendosi të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale, disa nene të ligjit. Ndryshimi i miratuar dje në Kuvend përcakton veprimin e ALUIZNI-t në ato raste kur pushteti vendor nuk ndërhyn për ndërtimet apo objektet, që mund të jenë pjesë e procesit të legalizimit. Neni më i debatuar midis mazhorancës dhe opozitës është neni 10 i këtij ligji, i cili tashmë është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, ku thuhet se "në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e urbanistikës apo këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave". Ky pretendim është kundërshtuar ashpër nga deputetët e opozitës, të cilët i kanë kujtuar mazhorancës se propozimi i tyre bie ndesh me Kushtetutën. Por duket se opozita këtë herë nuk do ta ridërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, Sipas saj, do të ishte kohë e humbur të çohej në Gjykatën Kushtetuese. Për ta, problemi nuk qëndron në dërgimin e saj në Gjykatën Kushtetuese apo jo, problemi qëndron në atë që kjo mazhorancë po operon me shpejtësi për të mbyllur në mënyrë politike një premtim tjetër të dështuar të kësaj mazhorance, siç ishte ai për procesin e legalizimeve. Koha që do t‘i duhet Gjykatës Kushtetuese për ta rishqyrtuar do të bëjë që deri në datën e zgjedhjeve, mazhoranca do të mbyllë ato premtime mashtruese për procesin e legalizimeve, por që në fund nuk do të sjellë asnjë titull ligjor.