Lohan: Zgjidhja e pronave, kusht për integrimin e vendit
BE-ja organizon takim me ekspertët për zgjidhjen e problemit të pronave
TIRANË - Zgjidhja e problemit të pronave vazhdon të mbetet një element thelbësor për procesin e integrimit të Shqipërisë. Lidhur me këtë çështje, BE-ja mblodhi dje ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi zgjidhjet e mundshme. Duke folur për rëndësinë e çështjes së të drejtave të pronës në Shqipëri, shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan, theksoi gjatë takimit se, "përforcimi i së drejtës së pronës dhe zgjidhja për çështjet e lëna varur të kthimit, kompensimit dhe legalizimit, janë qartazi themeltare për mirëqenien e përgjithshme të Shqipërisë".
Lohan tha se titujt e qartë të pronësisë dhe siguritë ligjore janë parakushte jo vetëm për zhvillimin e vendit, por edhe për integrimin e saj në BE. "Tituj të qartë pronësie dhe siguritë ligjore janë parakushte thelbësore për një zhvillim të suksesshëm të vendit, tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, paqen sociale, si edhe për procesin e integrimit evropian të vendit", -tha ai. Problemet e evidentuara nga ambasadori i Komisionit Europian janë mbështetur edhe nga zv-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo. "Ky problem nuk ka për të pasur një zgjidhje të shpejtë për dy apo tre vitet e ardhshëm",- tha Bozdo, teksa ishte i ftuar në seminarin e organizuar nga BE-ja, pikërisht për çështjen e pronës, e ku merrnin pjesë organe qeverisëse, agjenci donatore, si edhe ekspertë ndërkombëtarë. Ky takim kishte si synim gjenerimin e zgjidhjeve për çështjet kryesore që lidhen me pronën në sistemin ligjor shqiptar, konkretisht më regjistrimin e pronës, kthimin dhe kompensimin, si edhe legalizimin.