E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli boton revistë për veten

Botimi bëhet pa një vendim të Byrosë Parlamentare apo të strukturave të tjera drejtuese të Kuvendit

Byroja dhe sekretariati për financat e Kuvendit, nuk kanë dijeni për revistën "Tribuna e Kuvendit"


TIRANË- Është cilësuar si botimi zyrtar i legjislativit shqiptar, me synim hapjen e një dritareje të re për veprimtarinë e Kuvendit.


Por, në fakt, ka rezultuar e kundërta. "Tribuna e Kuvendit", revista me e re e përgatitur nga shërbimi i botimeve parlamentare, nuk është gjë tjetër, veçse një reklamë fund e krye për Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Aq sa në këtë revistë 48 faqëshe, që i ngjan një albumi të vetë Kryetares, nuk sheh gjë tjetër veçse 41 fotografi të Topallit, fjalimet e mbajtura po nga kjo e fundit gjatë turit të saj nëpër Shqipëri, "Gratë për gratë", si dhe një veprimtari krejt të cunguar të Kuvendit shqiptar, e përmbledhur vetëm në disa faqe.


Procedurat


Një reviste me një përmbajtje të tillë, nuk mund të merrte "ok"-ejn e strukturave zyrtare të Kuvendit. Për një botim të tillë, (normalisht për veprimtarinë e Kuvendit), duhet të paktën leja e Byrosë Parlamentare, dhe kalimi i fondit për botimin e saj nga sekretariati i financave të vetë këtij organi.

Asnjë nga procedurat sa më sipër nuk është ndjekur në këtë rast, pavarësisht se burime zyrtare nga Kuvendi deklaruan dje për gazetën se për botimin e kësaj reviste është marrë vendimi nga Byroja Parlamentare.

Ndërkohë, përfaqësuesja socialiste në Byronë Parlamentare, Rajmonda Stefa, e cila është njëkohësisht dhe anëtare e sekretariatit për financat në Kuvend, ka mohuar që në këto dy struktura të jetë diskutuar apo të jetë marrë ndonjë vendim për një çështje të tillë. Nga ana tjetër, edhe Kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, e kontaktuar nga "Shekulli", është shprehur se as në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve nuk është folur për botimin e kësaj reviste.


Për këtë arsye, ditët e fundit, deputetët, jo vetëm të opozitës, por edhe ata të mazhorancës, kanë mbetur paksa të habitur kur në postën e tyre dhe në tryezat e komisioneve parlamentare kanë gjetur revistën e Kryetares së Parlamentit, të pagëzuar me emrin "Tribuna e Kuvendit".


Financat


Problemi nuk qëndron vetëm në aspektin e shkeljeve të procedurave të përcaktuara nga rregullorja e Kuvendit, por edhe tek paratë që janë harxhuar për këtë botim, i cili do të jetë periodik, i përmuajshëm.


Pavarësisht se për përgatitjen dhe botimin e tij janë përdorur struktura e burimeve njerëzore dhe shtypshkronja e vetë Kuvendit, botimi i një reviste të tillë me 48 faqe, nga të cilat 14 me ngjyra, me një cilësi letre të lartë, dhe me një tirazh botimi prej 200 kopjesh për një numër, parashikohet të ketë pasur një kosto relativisht të madhe.

Afro 30 faqe i janë rezervuar vetëm veprimtarisë së Kryetares së Kuvendit


Revista, 41 foto të Topallit

TIRANË- Numri i ri i revistës "Tribuna e Kuvendit", në kopertinën e së cilës pasqyrohet selia e seancave plenare të Kuvendit, nuk mund të niste ndryshe, veçse me një foto dhe artikull përshëndetës të Kryeparlamentares Jozefina Topalli, ku kjo e fundit përpiqet të shpjegojë arsyet dhe qëllimin e këtij botimi.


Më pas, në disa faqe jepet mënyra e organizimit dhe funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë, duke filluar nga posti i Kryetarit të Kuvendit, nënkryetarët dhe për të përfunduar në pasqyrimin e jetës parlamentare në komisionet e përhershme, duke paraqitur në mënyrë fare të shkurtër dhe objektin e punës të secilit prej tyre.


Kanë mjaftuar vetëm disa faqe nga kjo revistë për të paraqitur gjithë strukturën organizative dhe mënyrën e funksionimit të jetës parlamentare në komisione, seanca, apo edhe strukturat mbështetëse të këtij institucioni, në funksion të qëllimit të vetë revistës, atë të informimit të qytetarëve për jetën parlamentare.

E gjithë pjesa tjetër, prej afro 30 faqesh, i është rezervuar vetëm veprimtarisë së Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, shoqëruar me një galeri të tërë fotosh nga takimet që ajo ka zhvilluar jashtë apo brenda vendit, ku natyrisht mungojnë ato të drejtuesve të tjerë më të lartë të Kuvendit, si nënkryetarët apo kryetarët e grupeve parlamentare.


Në këto faqe gjen vend, fillimisht, pasqyrimi i takimeve që Kryetarja Topalli ka bërë në kuadër të marrëdhënieve me parlamentet e vendeve të tjera. Më pas, revista u është kushtuar vetëm aktiviteteve të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar edhe si nënkryetare e PD-së në kuadër të turit "Gratë për gratë".


Përveç fotove, janë botuar të plotë të gjithë fjalimet që Topalli ka mbajtur në këto takime. Revista duket se është projektuar që të shpërndahet edhe për përfaqësitë diplomatike në Tiranë, pasi një pjesë të sajën e ka dhe në anglisht, ku, natyrisht, përsëri gjen informacione vetëm për veprimtarinë e Kryetares Topalli.

Topalli: Revista, një dritare për të na vrojtuar

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, beson se revista "Tribuna e Kuvendit" do të jetë pasqyra e veprimtarisë së jetës parlamentare dhe një mundësi për njohjen më të thellë të këtij institucioni nga brenda dhe jashtë vendit.


Në editorialin e saj, në numrin e parë të kësaj reviste, Kryetarja e Kuvendit bën një prezantim të mënyrës sesi është konceptuar dhe informacionit që pritet të përcjellë një botim i tillë, duke vlerësuar atë si një konceptim të ri të hapjes së Kuvendit ndaj qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në ligjbërje.


"Gjykoj se kjo revistë është një nismë e mirë në vazhdën e synimit tonë për të qenë transparentë e për të gjallëruar jetën tonë parlamentare. Pra, nga ky këndvështrim, besoj se jemi në një mendje, se tek e fundit një libër i ri, një revistë e re, hap një dritare të re për të vrojtuar veprimtarinë tonë parlamentare", - u drejtohet Topalli lexuesve të kësaj reviste, në artikullin e saj prezantues.

Gjithashtu, ajo është e sigurt se revista në udhën e saj, do të përcjellë gjithmonë mesazhe pozitive, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe tolerance për politikën shqiptare.

"Tribuna e Kuvendit" është konceptuar si një revistë informative-publicistike dhe u drejtohet deputetëve, zyrtarëve të Kuvendit, institucioneve të tjera të rëndësishme, bibliotekave dhe lexuesve të thjeshtë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›