KE-ja në Tiranë, për dosjet dhe Biberajn
Dy deputetë të KE-së do të marrin informacion për çështjet me delikate të ditës
TIRANË- Ashtu siç ishte paralajmëruar, ditën e hënë, në Shqipëri do të mbërrijnë dy bashkëraportues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pikërisht për çështjet me delikate të ditëve të fundit, që lidhen me veprimtarinë e Kuvendit dhe qeverisë.
Dy deputetë, njëri nga Anglia dhe tjetri nga Finlanda, do të marrin informacione rreth përgatitjes së zgjedhjeve në Shqipëri, ligjit të lustrimit, që është ankimuar tashmë në Gjykatën Kushtetuese, rastin e zëvendësimit të deputetit Aleksandër Biberaj, si dhe për çështje të tjera.
Vizita e dy anëtarëve të delegacionit, që u mohua nga deputetja demokrate e delegacionit shqiptar në KE, Lajla Pernaska, do të zhvillohet pikërisht në fillim të javës, nga ku më pas, do të raportohet në mbledhjen e radhës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.