E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama shpërfill bashkimin e socialistëve

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Edi Rama refuzon bashkimin e socialistëve përmes shpërfilljes së platformës së bashkimit, e ideuar nga ish-themeluesi i PS-së, Maqo Lakrori. Para dy javësh, në zyrën e kryesocialistit dhe të kreut të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, mbërriti platforma e një prej themeluesve të PS-së, Maqo Lakrori, e cila ka në bazë të saj bashkimin e socialistëve të shpërndarë. Por, burime nga PS-ja theksojnë se platforma është lënë mënjanë, pa e përmendur fare, në mënyrë që të zërë pluhur në ndonjë zyrë të kësaj partie. Por, për të mos mbetur vetëm në nivel lidershipi, ideatori i kësaj platforme është kujdesur që para se ajo të kalojë për shqyrtim në strukturat përkatëse, anëtarët e Asamblesë të njihen më mirë me të, ndaj Lakrori ua ka dërguar anëtarëve të AK-së platformën në një zarf për t’u dhënë kohë që ta lexojnë. Burimet e mësipërme saktësojnë se drejtuesit e partisë janë treguar indiferentë ndaj saj, duke mos dhënë asnjë përgjigje lidhur me kërkesën e Lakrorit për të mbledhur qysh brenda janarit Asamblenë Kombëtare, ndërsa një pjesë e anëtarëve të saj kanë refuzuar të njihen me të. Fundi i muajit shkurt plotëson plot tre muaj qysh kur është mbledhur asambleja e fundit, ndaj asaj duhet t’i paraprijë mbledhja e kryesisë. Paraprakisht diskutohet në kryesi dhe mandej në Asamble. Por gjasat tregojnë se ajo do të mbetet veç një dëshirë e njërit prej themeluese të kësaj partie. Pavarësisht dëshirës për të mos e përkrahur këtë ide, ajo çfarë u mbetet krerëve të PS-së është që të paktën ta hedhin në votim në Asamble. Platforma është mjaft largpamëse dhe ideale nëse ajo do të mund të realizohej. Ajo synon bashkimin e të gjithë socialistëve të shpërndarë, në partinë mëmë, LSI e PS’91. Lakrori propozon organizimin e një kongresi i cili do të zgjidhte kryetarin e ri të PS-së së bashkuar. Ai thotë që tri partitë të shkrijnë mes tyre strukturat vendimmarrëse dhe më pas, një komision i posaçëm të përgatisë kongresin e socialistëve, ku përfshihen ndryshime në statut. Pikë tjetër është ajo e zgjedhjes së kryetarit. Kjo është ajo çfarë nuk i intereson kryetarit aktual të socialistëve, pasi pozicioni i tij në krye të kësaj partie mund të vihej në diskutim. Një tjetër pikë, së cilës Lakrori i mbetet besnik, është ajo e legalizimit të fraksioneve. Me një propozim të tillë Rama arriti të ngjiste shkallët drejt postit të kreut të partisë, por sot, pas më shumë se tre vjet e gjysmë në krye të saj, në statusin e PS-së nuk është përfshirë asgjë e ngjashme me legalizimin e fraksioneve. Sipas ish-zyrtarit të lartë të selisë rozë, legalizimi i fraksioneve do të mundësojë vetëkorrigjimin që do t’u shërbejë socialistëve të kenë një parti më dinamike, më të besueshme për shtresa të ndryshme të shoqërisë, të votueshme mjaftueshëm për ardhjen në pushtet dhe të aftë për mirëpërdorim të pushtetit. Një tjetër propozim është ai i konkurrimit të hapur në parti dhe në komunitet të përfaqësuesve të PS-së në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2009. “Ky proces do të prodhojë më shumë cilësi dhe motivim, e për këto arsye do të shtojë mundësitë për fitoren e socialistëve në zgjedhjet 2009. Konkurrimi dhe bashkëpunimi Obama-Klinton është një referencë e pasur edhe për këtë”, - thuhet në këtë platformë. PS, e dyzuar për mbledhjen e AK-së Platforma “Lakrori”, e cila zyrtarisht ka mbërritur në tryezën e Ramës si kryetar partie dhe Ruçit si kryetar i Asamblesë Kombëtare, paraprakisht duhet të kalojë në kryesinë e partisë e nëse ajo kalon këtë fazë, në Asamble për t’u hedhur në votim. Por në PS nuk ka ende asnjë shenjë se do të ketë një mbledhje të kryesisë dhe të Asamblesë. Në bazë të statutit, Asambleja, si një prej strukturave më të larta të kësaj partie, mblidhet një herë në tre muaj, dhjetëditëshi i fundit i këtij muaji përkon me fundin e këtij harku kohor. Më parë duhet të mblidhet kryesia, e cila ka në rend dite përgatitjet për Asamblenë. Por drejtuesit socialistë, duke qenë se disa gjëra të rëndësishme, siç është ngritja e shtabeve elektorale, janë vënë në vijë, mund të zgjedhin të shtyjnë për më vonë mbledhjen e Asamblesë, për në muajin mars, atëherë kur shtohen punët e strukturave për shkak të përgatitjes së fushatës elektorale. Futja në axhendën e Asamblesë Kombëtarë të programit qeverisës të PS-së do të zhvendoste vëmendjen nga platforma e ish-zyrtarit të lartë, por njëkohësisht do të zvogëlonte mundësinë për zbatimin, pavarësisht vullnetit që mund të ekzistojë për ta pranuar atë. Lakrori, letër Ramës dhe Ruçit Në fund të vitit të kaluar, ish-themeluesi i selisë rozë, Maqo Lakrori, i dërgoi një letër krye socialistit, Edi Rama, dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare ku u kërkonte që mbledhja e radhës së Asamblesë Kombëtare të mblidhej sa më shpejt, mundësisht brenda muajit janar, pasi nëse ajo pranohej, koha për realizimin e platformës është e pakët. Por duket se kërkesa e Lakrorit nuk është marrë parasysh nga drejtuesit e partisë dhe sot nuk dihet ende se kur është plani i mbledhjes së kësaj strukture. Lakrori është ndër të paktët ose ndër të fundit që guxon të shtrojë idenë e bashkimit të së majtës e cila është ndarë në pesë vitet e fundit. Në kushtet ku ndodhet ajo, vështirë se mund të gjenden rrugë të tilla, në një kohë kur vullneti për ta realizuar atë duket se mungon, së pari nga drejtuesit e partisë mëmë nga ku kanë dalë LSI-ja e PS’91-shi. Pjesë nga platforma «Lakrori» Asambleja Kombëtare e PSSH-së, e bindur në dobinë që ka për interesat madhore të vendit dhe të kombit, i fton të gjithë socialistët shqiptarë, anëtarë dhe joanëtarë të PS-së, LSI-së dhe PS'91-shit, që të bashkohen në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për realizimin e këtij bashkimi, ajo propozon: (A) -Mbledhjen e Kongresit të bashkimit të socialistëve shqiptarë në PSSH, me pjesëmarrjen e delegatëve aktualë të Kongresit të PSSH-së dhe të Konventës së LSI-së, si edhe të përfaqësuesve të PS'91. Ky kongres: 1. Voton dhe shpall bashkimin e të gjithë socialistëve shqiptare në PSSH. Paraprakisht shpallet shkrirja e LSI dhe PS'91. 2. Miraton ndryshimet e domosdoshme imediate në statut (plotësimet e tjera bëhen pas zgjedhjeve 2009). Ndryshimet imediate ligjërojnë: a - Bashkimin e AKS me KD të LSI dhe përfaqësues të PS'91. b - Zgjedhjen e kryetarit / kryetares së PS-së të bashkuar. c - Shtrirjen e bashkimit në nivelet vendore të strukturave partiake dhe përshtatjen e strukturave elektorale 2009. d - Njohjen dhe garantimin eksplicit të së drejtës për organizimin e fraksioneve në forumet përfaqësuese qendrore (mbi bazë platformash të votuara drejtpërdrejt dhe me mbështetje konsistente nga anëtarët e partisë), si garanci strukturore për demokraci të brendshme, respektim të pakicave në parti përmes përfaqësimit të tyre të organizuar dhe kontroll e vetëkorrigjim të qeverisjes socialiste. e - Konkurrimin e hapur në parti dhe në komunitet për të përcaktuar përfaqësuesit e PSSH-së në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2009. f - Bashkimin e forumeve rinore dhe të grave. 3. Miraton programin politik dhe elektoral të PSSH-së për zgjedhjet 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›