Dosjet, Doda: Garantojmë me ligj pastërtinë e zyrtarëve
Mazhoranca e djathtë është e vendosur për të garantuar me ligj pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë. Sipas saj, xhelatët nuk do të mund të qëndrojnë më në pushtet dhe se Shqipëria do të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste. Si variantin më të mundshëm për lustracionin në Shqipëri, duket se demokratët do të përdorin atë të referendumit mbarëpopullor. Neni 150 i ligjit themelor në pikën 2 të tij thotë se Kuvendi me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve ose të Këshillit të Ministrave mund të vendosë që një çështje ose projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet për referendum. Deputetja demokrate, anëtare e delegacionit të Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, znj. Mesila Doda, në krye të nismës për këtë qëllim, shpjegon tri variantet e mundshme që do të ndiqen deri në miratimin e të ashtuquajturit ligji i dosjeve. “Paraqitja e një ligji të ri në Parlament për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar, dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg, si dhe mosngurrimi për të ndërmarrë nismën e një referendumi popullor për këtë çështje”, - tha znj.Doda. Deputetja e PD-së bëri dje të qartë se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndikoi konflikti i interesit që kanë anëtarë të këtij institucioni me ligjin e shqyrtuar. Referendumi popullor duket se do të jetë varianti më i mundshëm për t'u zbatuar, ndaj dhe deputetja Doda po lobon me deputetë të grupit kuvendor demokrat bazuar në të drejtën që garanton Kushtetuta për këtë qëllim. Edhe ish-të përndjekurit politikë e konsiderojnë absurd vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i hedhur poshtë me votë unanime nga ky institucion. Përfaqësues të shoqatave të tyre kanë bërë të ditur publikisht se marrja e një vendimi të tillë ndaj zbardhjes së krimeve të komunizmit nga kjo gjykatë nuk përbënte aspak risi. Dhe argumentin e tyre ish-të burgosurit politikë e bazojnë në konfliktin e interesit që sipas tyre trupa gjyqësore kishte për marrjen e një vendimi ndaj ligjit. Ish-të përndjekurit shprehen të vendosur për të kërkuar deri në fund zbatimin e këtij ligji që sipas tyre e rendit Shqipërinë ndër të vetmit vende ish-komuniste ku ende nuk janë zbardhur krimet e bëra gjatë 50 viteve të diktaturës. Sipas tyre, ky ligj nuk synonte as të shëronte plagët e vjetra dhe aq më tepër hakmarrjen ndaj funksionarëve të lartë që ende dhe sot, shprehen ata, janë në poste drejtuese, por nëpërmjet tij synohet që vendi të ndahet nga e kaluara e errët totalitare.
Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese për ligjin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë u mor pas ankesave të Partisë Socialiste, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Shoqatës së Prokurorëve.