E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jo votim i fshehtë në grup për bojkotin

Kreu i PS-së, Edi Rama, tha dje se nuk do të pranojë një votim të fshehtë në grupin parlamentar për ndërprerjen ose jo të bojkotit, ashtu siç ka kërkuar një nga kundërshtarët e tij politikë, Ben Blushi. Në një intervistë për “News 24” ai tha dje se “votë të fshehtë jep populli, kurse përfaqësuesit e tij duhet të jenë transparentë në qëndrimin e tyre”. Kësisoj i ka dhënë fund mundësisë që deputetët e PS-së të mund të shpreheshin me votë të fshehtë për rikthimin e tyre në Kuvend, votë kjo që do të ishte ndoshta dërrmuese për Ramën, i cili ka 5 deputetë kundër të deklaruar publikisht për këtë çështje, por mendohet se numri i tyre të jetë më i madh. Rama ndërkaq nuk ka hezituar të hedhë akuza drejt kundërshtarëve të tij, duke thënë se nuk preferon të merret “me persona që nuk janë në rrugën e PS-së, por përputhen me rrugën e Sali Berishës”. Megjithatë. ai në një farë mënyre ka qetësuar të gjithë deputetët se nuk do t’iu digjen mandatet, duke lënë të kuptohet hapur se duhet proceduar, për të mos e lejuar këtë do të jetë betimi në Kuvend dhe më pas vazhdim i bojkotit në rast se nuk do të gjendet një kompromis deri më datën 6 mars, datë kur digjet sipas Kushtetutës dhe mandati i socialistëve. Nga ana tjetër, Rama tha se nuk do të hiqet dorë nga kërkesa për hapjen e kutive dhe pse nuk do të kërkohet rinumërimi i votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›