E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve, Patozi: Të enjten ngremë komisionin

PD-ja është gati të ngrejë ditën e enjte komisionin parlamentar që do të hetojë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës, z. Astrit Patozi, njoftoi dje se kjo nismë, e cila vjen si kërkesë e KE-së, ka si qëllim rikthimin e opozitës në Kuvend, ndaj i bëhet thirrje kryetarit socialist Edi Rama që të pranojë dialogun, ndërsa Presidentit të vendit që të kontribuojë për normalizimin e situatës politike. Sipas nënkryetarit demokrat, opozita e majtë duhet të respektojë Kushtetutën e Republikës dhe të bëhet pjesë e reformave integruese të Shqipërisë.
“Ne jemi të gatshëm që mundësisht këtë të enjte të nisim ngritjen e komisionit parlamentar që do të hetojë zgjedhjet, duke pasur qëllimin e mirë të kthimit të opozitës për të zënë vendet e saj në Parlament”, - theksoi z. Patozi. Gjithmonë në këtë kontekst, PD-ja thekson gatishmërinë e saj, për të mirëpritur kontributin e Presidentit të Republikës dhe të çdo aktori tjetër, pa asnjë lloj paragjykimi, duke vërejtur se jashtë rrafshit kushtetues, respektimit të shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave mund të ketë vetëm një dialog shterpë dhe asgjë më shumë se kaq. “Ne si mazhorancë, - vuri në dukje Patozi, - mbetemi sërish të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën, sapo ajo të vendosë të respektojë Kushtetutën e vendit, shtetin ligjor dhe rregullat e lojës për një vend demokratik. Kundrejt kësaj PD i kërkon kryesocialistit Edi Rama që të tërhiqet nga kërcënimet dhe të bëhet pjesë e proceseve demokratike”. “Por ndërkaq, kërcënimeve të vazhdueshme të zotit Edvin Kristaq Rama si dhe aludimeve të tij për vitin 1990, i përgjigjemi shkurt dhe prerë se ne që përmbysëm etërit, nuk ka se si të impresionohemi nga bijtë e Bllokut, të cilët, me sa duket, po u gënjen mendja që të hakmerren për disfatën e baballarëve të tyre”, - u shpreh z. Astrit Patozi. Ai i kujton PS-së që të lexojë siç duhet rezolutën e KE-së, pasi u bën disa ditë me radhë që kryetari Edi Rama po lexon me syzet e tij të kuqe rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KE-së për Shqipërinë. Patozi pohoi se duke sfiduar kërkesat e qarta të kësaj rezolute dhe duke i bërë karshillëk një institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar, ai po deklaron në mënyrë të përsëritur se nuk heq dorë nga bojkoti pa hapjen e kutive, ndërkohë që nuk po nguron të kërcënojë mazhorancën se do të rrëzojë me protesta qeverinë e saj legjitime. Sipas Patozit, Partia Demokratike është shprehur në mënyrë të qartë dhe të vendosur se përshëndet dhe mbështet të gjitha kërkesat e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›