E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë me drejtorin e Institutit të Ish-të Përndjekurve Politikë

Miraka: Kushtetuesja ligjëroi krimet e komunizmit

Të përpjekurit politikë ndihen të indinjuar nga rrëzimi i ligjit të lustracionit, apo siç njihet si ligji i dosjeve, nga Gjykata Kushtetuese. Shtresa e tyre, më e vuajtura dhe më e prekura nga diktatura 40-vjeçare komuniste, ka qenë e para që ka kërkuar një ligj të tillë dhe vijojnë të këmbëngulin në interesin e shoqërisë për zbatimin e një ligji pastrimi për administratën publike nga elementë të diktaturës komuniste. Simon Mikara, një ish-i dënuar me vite burg në komunizëm, sot drejtor në Institutin e Ish-të Përndjekurve Politikë, shprehet se ligji u rrëzua për fat të keq nga njerëz që dikur kanë qenë leva të diktaturës. Në një bisedë për “standard”, Miraka shprehet se në momentin që ligji shkoi në Gjykatën Kushtetuese, ish-të përndjekurit kanë qenë pesimistë, pasi ata mendojnë se ligji u rrëzua nga gjyqtarë që dikur i kanë shërbyer diktaturës. Sipas tij, gjyqtarët kanë dhënë një vendim për veten e tyre dhe natyrisht që ka konflikt interesi. Miraka shprehet se për fat të keq, ata janë ende pjesë e së kaluar që ndikohen ende direkt ose indirekt nga të majtët në Shqipëri. Drejtori i Institutit shprehet i bindur se ligji do të miratohet një ditë dhe shpreh bindjen se mazhoranca e djathtë do ta çojë deri në fund. Ai u shpreh se shtresa e ish-të përndjekurve miraton kërkesën për dërgimin e vendimit të Kushtetueses në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, apo të ndërmarrjes së një referendumi për miratimin e ligjit. “Ligji nuk është një shpikje në Shqipëri, pasi ai është një ligj dhe ka kaluar në të gjitha e vendet post-komuniste të Lindjes dhe sigurisht që Shqipëria është pjesë e Evropës. Mendoj që ligji duhet të aprovohet sa më shpejt nga Kuvendi, sepse ndryshe shoqëria jonë nuk do të ketë qetësi. Dikush duhet të përgjigjet për të kaluarën komuniste, të paktën moralisht”, - shprehet Miraka.

Si e konsideroni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të dosjeve?

Sapo ligji mbërriti në Gjykatën Kushtetuese ne kemi qenë pesimistë dhe aspak optimistë, sepse në gjykatë disa anëtarë kanë konflikt interesi. Kështu që ata nuk mund të dënojnë veten e tyre, të paktën moralisht. Kjo është arsyeja që ata e kanë hedhur poshtë ligjin e lustracionin.

Sipas jush, kush qëndron pas rrëzimit të këtij vendimi?

Sigurisht janë ata, janë peng i së kaluarës të tyre komuniste për fat të keq. Mendoj se prapa këtij vendimi kanë ndikuar qoftë direkt ose indirekt edhe socialistët. Ata i përkasin së majtës dhe sigurisht që është edhe ndikimi i tyre.

Si e konsideroni qëndrimin e mazhorancës së djathtë për të çuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Strasburg?

Në të gjitha propozimet që do të marrë mazhoranca në lidhje me ligjin e lustracionit do të ketë mbështetjen absolute të të gjithë shtresës së të përndjekurve politikisht në diktaturën komuniste. Çfarëdo nisme që do të ndërmerret dhe idetë janë hedhur, si për ndërmarrjen e një referendumi apo dërgimin e vendimit të Gjykatës në Strasburg, ne do ta mbështesim fort. Sigurisht që ne jemi dakord që të ketë tryeza politike dhe do të dëshironim që të thirren edhe përfaqësuesit e shtesës së të ish-të përndjekurve politikë për miratimin e një ligji për lustracionin. Një ligj i tillë absolutisht që është i domosdoshëm, sepse një trup i shëndoshë nuk mund të mbajë një çiban në kurriz. Ligji nuk është një shpikje në Shqipëri, pasi ai është një ligj dhe ka kaluar në të gjitha e vendet postkomuniste të Lindjes dhe sigurisht që Shqipëria është pjesë e Evropës. Mendoj që ligji duhet të aprovohet sa më shpejt nga Kuvendi, sepse ndryshe shoqëria jonë nuk do të ketë qetësi. Dikush duhet të përgjigjet për të kaluarën komuniste, të paktën moralisht.

Keni bindje se qeveria ka për të çuar deri në fund miratimin e këtij ligji?

Unë jam i bindur se po. Këtë e them nga deklaratat që janë bërë nga mazhoranca dhe në gjykimin që jap mbi to, besoj se do i shkohet deri në miratimin e plotë të ligjit. Deklarata janë bërë së fundmi nga zonja Doda dhe deklaratat e saj nuk janë individuale, pasi ajo është deputete e këtij Parlamenti dhe përfaqëson mazhorancën e djathtë. Jo vetëm deklaratat e saj, por çdo deklaratë të përfaqësuesve të mazhorancës që mbështesin këtë ligj, ne do ta mirëpresim.

Ju si përfaqësues të të përndjekurve, çfarë kërkoni më shumë nga ana e mazhorancës në lidhje me miratimin e një ligji të tillë?

Ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë në rrugë demokratike që administrata e lartë të pastrohet qoftë nga pjesëmarrësit, direkt apo indirekt nga ata që kanë kontribuar në diktaturën komuniste. Flas për gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë qenë leva kryesore e diktaturës dhe ata nëpërmjet gjykimeve dhe veprimeve të tyre kanë mbushur burgjet në Shqipëri, por edhe duke i çuar qytetarët shqiptarë në plumb. Duhet të ketë një detyrim moral dhe në fakt është paradoks të mendosh se ata japin gjykime përsëri në sistemin demokratik. Duhet të kuptojmë se ligji i lustracionit nuk është hakmarrje dhe një ligj i tillë nuk i heq të drejtën askujt. Jemi në demokraci dhe ajo iu përket të gjithëve, por ata duhet të kuptojnë se jeta ka fusha të tjera dhe nuk duhet të jenë pjesë e administratës shtetërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›