Gjendje lufte në PS, Dade sulmon ashpër Islamin
Gjendja e luftës në PS është reale. Pasi kreu i saj, Edi Rama i cilësoi avokatë të Berishës deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, që kërkojnë futjen e PS-së në Parlament, kanë ardhur akuza të forta dhe nga drejtues të tjerë të partisë. Sekretarja ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, deklaroi dje në TV “Alsat” se LMN tashmë komandohet nga Kryeministri Berisha, duke iu referuar edhe takimeve me të fundit të tyre me europarlamentarë të ndryshëm për çështjen e bojkotit. "Ata kanë zgjedhur këtë rrugë. Flasin me gjuhën e Sali Berishës. Flasin me praktikat dhe hipotezat e Jozefina Topallit. Derisa pranon të jetë në delegacionin që emëron zonja Topalli, do të thotë që ka miratuar këtë akt që zonja Topalli ka bërë. Pavarësisht se nuk ka bërë betimin, emri ishte në delegacionin e Këshillit të Evropës. Zoti Islami vërtet s’ka vajtur, por praktikisht nuk është shprehur për këtë fyerje që zonja Topalli i ka bërë personalisht zotit Islami duke e përfshirë në delegacion”, - tha Dade. Dade përveç Islamit sulmoi dhe Harasanin, duke hedhur hije dyshimi mbi karrierat e tyre politike. “Është për të ardhur keq që janë gjithmonë të njëjtët emra që vazhdimisht kanë krijuar këto probleme. Kjo nuk do të thotë se ata janë më demokratë sesa ne që respektojmë vendimet politike. Unë personalisht nuk i përkas asnjë grupimi dhe nuk kam qenë asnjëherë shumë pranë liderëve. Kanë qenë të tjerët ata që janë inkurajuar në politikë vetëm pse i kanë shërbyer liderëve. Zoti Harasani është hera e parë që takon ndonjë nga përfaqësuesit atje. Ndërsa islami, sigurisht një ish-ministër i Jashtëm, Evropa ka kaq etikë dhe për kortezi edhe mund ta takojë, por ama vetë ky ish-ministër i Jashtëm nuk mund të abuzojë me postet që gjithkush e di se si i ka mbajtur dhe si i ka marrë... duke sulmuar kolegët gjithmonë edhe duke folur në të gjitha ambasadat. Kjo është e qartë”, - tha Dade. Dade nuk i kurseu akuzat edhe për europarlamentaren Doris Pack, ndërsa e cilësoi si të turpshme takimin e deputetëve të LMN-së me të. “Me këtë që kanë bërë, deri edhe në mënyrë jo institucionale, kanë shkuar dhe kanë takuar Doris Pack që për shqiptarët s’do të thotë asgjë. Nuk e shpall si armike të popullit, por ka qenë e njëanshme”, - tha Dade.