"Dosjet", Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin
Gjykata pritet ti përmbledhë në një, 4 prej padive të bëra, ku do të thirren të jenë të pranishëm të katër subjektet që kanë bërë dhe ankimimin
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka nisur procedurën e shqyrtimit të katër kërkesave të mbërritura pranë saj dhe që kanë si objekt të tyre shpalljen si antikushtetues të ligjit "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve". Pavarësisht presionit politik të mazhorancës kundrejt kësaj gjykate, trupa kolegjiale e gjyqtarëve ka vendosur që të respektojë Kushtetutën dhe ligjin mbi të cilin organizohet, duke hapur procesin e shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga subjektet e interesuara, të cilat me ankimimin edhe të shoqatës së avokatëve kanë mbërritur në 4. Burime pranë kësaj gjykate konfirmojnë se bëhet fjalë për nisjen e këtij procesi nëpërmjet procedurave të tyre normale të brendshme dhe që kanë të bëjnë me mbledhjet paraprake të gjyqtarëve me qëllim verifikimin ligjor të objektit të secilës prej kërkesave të depozituara në këtë gjykatë. Kështu, mësohet se kolegji i gjyqtarëve po shqyrton kërkesat nga ana formale, për të parë nëse është e mundur përmbledhja e të katër ankimimeve në një çëshjte të vetme, meqenëse dhe objekti është i njëjtë, pra shfuqizimi i ligjit për pastërtinë e figurave si në kundërshtim me Kushtetutën. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se një hap i tillë është i detyrueshëm për vet faktin se Gjykata nuk mund të hapë nga një gjyq për secilën prej padive të bëra, prandaj dhe ka vendosur që aspektet e veçanta të secilës kërkesë ti inkuadrojë në një prej tyre që është më e plotë dhe më e gjerë nga ana e formulimit dhe neneve që kundërshton. Menjëherë pas këtij hapi, Gjykata pritet të hapë shqyrtimin e ligjit në seancë plenare, ku natyrisht do të thirren të jenë të pranishëm të katër subjektet që kanë bërë dhe ankimimin, pra grupi i 36 deputetëve, shoqata e prokurorëve, shoqata e avokatëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Nga të njëjtat burime informacioni mësohet se seanca plenare pritet të thirret shumë shpejt, për të shqyrtuar fillimisht kërkesën për pezullimin e efekteve të ligjit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar të formës së prerë për kushtetueshmërinë ose jo të tij. Të katër kërkesat e paraqitura pranë kësaj gjykate megjithëse të ngjashme kanë veçoritë e tyre, pasi përveç socialistëve që kundershtojnë ligjin në tërësinë e nenve që ata pretendojnë se janë antikushtetuese, kërkesat e subjekteve të tjera përqendrohen vetëm në ato pika që prekin interesat e tyre. Kërkesa e 36 deputetëve, kryesisht socialistë, thekson se ligji i dosjeve bie ndesh me 28 nene të kushtetutës. Deputetët në padinë e tyre pretendojnë se ligji cenon 6 të drejta kushtetuese, siç janë e drejta e ndarjes së pushteteve, të drejtën për punë, të drejtën për mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor, të drejtën për tu prezumuar i pafajshëm, të drejtën për të mos u ndëshkuar dy herë për të njëjtin veprim dhe të drejtën për tu zgjedhur. "Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë" e godet si të papajtueshëm me Kushtetutën gjashtë nene të ligjit të dosjeve. Ndërkohë që edhe kërkesa e shoqatës së avokatëve ka pothuajse të njëjtën natyrë pasi kundërshton vetëm nenet 3 dhe 4 që prekin më shumë interesat e këtij komuniteti. Kërkesa e katërt, pra ajo e KSHH-së ashtu si edhe ajo e socialistëve atakon pothuajse gjithë ligjin, por pa detajuar pikat se ku ai është antikushtetues.