E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Procesi po dështon, Qeveria jo transparente

 

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë për mungesë transparence në lidhje me procesin e pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit. Nënsekretari për çështje ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha sot gjatë një konference për shtyp, se “ka kaluar mbi 1 muaj nga fillimi i procesit të aplikimit dhe akoma asnjë shtetas nuk është pajisur me një të tillë”. Sipas tij: “Përtej demagogjisë së shpërndarjes së kartave, ajo që ka filluar ta shqetësojë Partinë Socialiste, është mungesa e transparencës dhe informacionit në lidhje me shpërndarjen e sistemit të aplikimit në të gjithë territorin e vendit”. “Përtej deklarimit zyrtar se brenda shkurtit procesi do të shtrihej në të gjithë vendin, jemi sot këtu, vetëm 10 ditë nga fundi i shkurtit dhe procesi akoma nuk ka filluar në pjesën më të madhe të bashkive të vendit, për të mos folur për komunat e vendit”, tha Gjiknuri, duke shtuar se mungesa e transparencës dhe mos bërja publike e një grafiku të qartë të shpërndarjes në territor, po shoqërohet edhe me refuzimin sistematik të maxhorancës për ngritjen e një komisioni monitorues parlamentar, të përfaqësuar në shumicë nga opozita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›