E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, KE: Ligji nuk është i standardeve evropiane

 

BLEDAR HOTI

Ligji shqiptar i “Hapjes së Dosjeve” nuk e kalon klasën nga institucionet ndërkombëtare. Këshilli i Evropës kritikon ligjin, duke u shprehur se nuk plotëson standardet e kërkuara. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terry Davis, në një deklaratë publike kritikon ligjin e miratuar nga Parlamenti shqiptar, duke theksuar se “nuk përmbush kriteret, duke mos respektuar disa udhëzimeve të rëndësishme të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratuar në vitin 1996”. “Për disa dekada, populli shqiptar vuajti nën një prej regjimeve komuniste më të ashpër dhe më mizorë në Evropë, prandaj dhe unë e kuptoj përpjekjen për të vendosur të vërtetën dhe për të dënuar ata që dhunuan të drejtat e njeriut gjatë kësaj periudhe. Por çdo përpjekje e tillë duhet të jetë në përputhje me standardet e  Këshillit të Evropës për demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Kundrejt këtij sfondi, shpreh shqetësimin që ligji i lustracionit, i miratuar nga Parlamenti shqiptar në 22 dhjetor 2008, nuk i përmbush këto kritere”, deklaroi Davis. Gjithashtu zyrtari i lartë theksoi se, “vërej disa mospërputhje të rëndësishme në lidhje me rezolutën mbi masat për heqjen e trashëgimisë së ish-sistemeve komuniste totalitare, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 1996”. “Asambleja jonë ka bërë të qartë që çdo masë individuale lustracioni nuk duhet të tejkalojë vjet, që procesi i lustracionit duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 1999 dhe që lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët në zgjedhje. Asnjë prej këtyre udhëzimeve nuk është marrë në konsideratë nga ligji shqiptar i lustracionit”. Disa nga vërejtjet që KE-ja ka nxjerrë gjatë kësaj analize të kryer mbi ligjin e lustracionit janë: “Shtrirjen tepër të gjerë të ligjit, përsa i përket kategorive të zyrtarëve që mund të preken dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë; Paanësinë dhe proporcionalitetin e procedimeve të lustracionit; Rreptësinë e sanksioneve të parashikuara dhe faktin që nuk ka një limit kohor”. Ndërsa theksohet se, “Këshilli i Evropës është i gatshëm t’u ofrojë autoriteteve shqiptare këshillim dhe asistencë në gjetjen e mënyrave për të arritur objektivin legjitim të trajtimit të së kaluarës në përputhje të plotë me standardet e Këshillit të Evropës”. Qëndrimi më i fundit i KE-së i shtohet edhe asaj të bëra nga ana e diplomatëve të huaj në Tiranë në lidhje me miratimin e një ligj të tillë pas konsensusit mes maxhorancës dhe opozitës. Për këtë ligj ka pasur reagime të ndryshme, ku mbi të gjitha është kërkuar transparencë për zbatimin e këtij ligji, në mënyrë që të mos përdoret për qëllime politike.

Vërejtjet

- Shtrirjen tepër të gjerë të ligjit, përsa i përket kategorive të zyrtarëve, që mund të preken dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë

- Paanësinë dhe proporcionalitetin e procedimeve të lustracionit

- Rreptësinë e sanksioneve të parashikuara dhe fakti që nuk ka një limit kohor; 

- Ligji nuk ka marrë në konsideratë udhëzimet dhe Rezolutën e KE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›