Dosjet, Kushtetuesja: Ligji i ndërpret mandatin Presidentit
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese zbardhi dje të gjithë argumentimin ligjor mbi të cilin ajo rrëzoi ligjin e Lustracionit. Në vendimin e marrë në fillim të shkurtit, Gjykata Kushtetuese ka dhënë plot 114 argumente që, sipas saj, provojnë antikushtetueshmërinë e ligjit, ligjit me nr. 10034, datë 22.12.2008 "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve". Gjykata shprehet se ligji për pastërtinë e figurës, objekt shqyrtimi, bie ndesh me parimet dhe garancitë kushtetuese të referuara më sipër, dhe për rrjedhojë duhet shfuqizuar. "Gjykata arrin në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës, i cili është një ligj i miratuar sipas procedurës së zakonshme, nuk mund të trajtohet si interpretim dhe zbatim i dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve organike. Ky ligj bie ndesh me garancitë që Kushtetuta dhe ligjet organike ua njohin organeve shtetërore përkatëse", shprehet gjykata në argumentimin e saj.
Në argumentimin me numër 55 vlerësohet se neni 24/5 i ligjit për pastërtinë e figurave, që parashikon ndërprerjen e mandatit të Presidentit të vendit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të qeverisë, në rast të lëshimit të "dëshmisë së verifikimit B", cenon garancitë kushtetuese të mandatit të tyre dhe për rrjedhojë bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ato të shtetit të së drejtës. Gjykata Kushtetuese çmon gjithashtu se ligji për pastërtinë e figurave bie ndesh me ligje të tjera, në rastet e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. "Dëshmia e verifikimit B", sipas tyre, zëvendëson në këtë rast vendimet e KLD-së apo Këshillit të prokurorisë. Në argumentin 84 të saj, Gjykata Kushtetuese çmon se ligji për pastërtinë e figurave nuk lë hapësirë për shqyrtimin e çështjeve në rrugë individuale, por i trajton ato së bashku. Gjykata vë re gjithashtu se kohëzgjatja e përjashtimit nga një funksion publik i një zyrtari të lartë duhet të jetë e kufizuar, ndërsa sipas gjykatës ligji nuk e përcakton këtë. "Gjykata thekson se, përderisa qëllimi i lustracionit është të largojë nga detyra personat me sjellje antidemokratike, periudha kohore gjatë së cilës do të shtrihet kontrolli duhet të jetë e kufizuar, pasi aktivitetet e kryera në të kaluarën nuk përbëjnë një provë përfundimtare të sjelljes aktuale apo të sjelljes në të ardhmen të individit", thuhet në argumentimin kushtetues të gjykatës. Gjithashtu sipas saj, ligji i Lustracionit cenon tre të drejta themelore të individit të sanksionuara dhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si e drejta për t'u zgjedhur, e drejta për punë dhe e drejta për të hyrë në shërbimin publik, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese për Lustracionin
• Gjykata arrin në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës, objekt shqyrtimi, bie ndesh me parimet dhe garancitë kushtetuese të referuara më sipër dhe për rrjedhojë duhet shfuqizuar.
• Gjykata arrin në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës, i cili është një ligj i miratuar sipas procedurës së zakonshme, nuk mund të trajtohet si interpretim dhe zbatim i dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve organike. Ky ligj bie ndesh me garancitë që Kushtetuta dhe ligjet organike ua njohin organeve shtetërore përkatëse.
• Gjykata çmon se neni 24/5 i ligjit për pastërtinë e figurës, i cili parashikon ndërprerjen e mandatit të Presidentit të Republikës, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, në rastet e lëshimit të "dëshmisë së verifikimit B", cenon garancitë kushtetuese të mandatit të tyre dhe për rrjedhojë është në kundërshtim me parimin e kushtetutshmërisë dhe shtetit të së drejtës.
• Antikushtetutshmëria e dispozitave të ligjit të Lustracionit reflektohet edhe për të gjitha funksionet që parashikohen në nenin 3 dhe 4 të ligjit për funksionarët që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Ligji për statusin e nëpunësit civil është ligj, i cili kërkon shumicë të cilësuar (3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit), ndërsa Lustracioni është ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë.
• Gjykata çmon se rregullimet e ligjit, lidhur me kompetencat e Autoritetit të Kontrollit të Figurës, duke vlerësuar në tërësi procedurat vendimmarrëse dhe efektet e dëshmisë së verifikimit, tejkalojnë dhe janë në konflikt me kompetencat që Kushtetuta iu ka besuar disa organeve dhe institucioneve kushtetuese, si dhe me procedurat respektive të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligjet organike.
• Gjykata çmon se ligji krijon shqetësim serioz për parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të garantuar nga neni 7 i Kushtetutës, në kuptimin që një organ ekzekutiv autorizohet të imponojë pastrimin e figurës mbi anëtarët e ligjvënësit dhe gjyqësorit.
• Gjykata arrin në përfundimin se rregullimet e ligjit për pastërtinë e figurës, përsa i përket ngritjes, funksionimit dhe vendimmarrjes së Autoritetit të Kontrollit të Figurës, cenojnë kërkesat që rrjedhin nga parimi i shtetit të së drejtës dhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
• Gjykata çmon se duhet të ekzistojnë arsye të forta për të justifikuar nxjerrjen e një ligji të ri për lustracionin, tetëmbëdhjetë vjet pas rënies së regjimit komunist dhe shtatë vjet pas mbarimit të afatit të legjislacionit të mëparshëm, si dhe për parashikimin se ai do të vazhdojë të zbatohet për një kohë kaq të gjatë.
• Sanksionet që parashikon ligji për pastërtinë e figurës vendosen për një kohë të papërcaktuar. Ajo thekson se, përderisa qëllimi i lustracionit është të largojë nga detyra personat me sjellje antidemokratike, periudha kohore gjatë së cilës do të shtrihet kontrolli duhet të jetë e kufizuar, pasi aktivitetet e kryera në të kaluarën nuk përbëjnë një provë përfundimtare të sjelljes aktuale apo të sjelljes në të ardhmen të individit.
• Gjykata ka parasysh standardet e Këshillit të Evropës, të cilat rekomandojnë një kohë maksimale prej 5 vjetësh nga skualifikimi. Ky kufizim, në çështjet individuale mund të tejkalohet për arsye të ndryshme, si p.sh, për një sjellje personale shumë të keqe ose të një faji individual, por ky tejkalim duhet të justifikohet në çdo rast konkret. Edhe në këto raste, Gjykata çmon se një përjashtim i papërcaktuar nga funksioni publik, pa pasur mundësinë për ta rifituar atë, ngre problemin e proporcionalitetit.