E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjykata Administrative”, shtyhet diskutimi te Ligjet

 

Opozita kërkon shtyrjen e diskutimit të ligjit “Për krijimin e Gjykatës Administrative”. Socialistët në Komisionin parlamentar të Ligjeve kërkuan shtyrjen për një javë të diskutimeve nen për nen të projektligjit për krijimin e Gjykatës Administrative, për shkak se nuk e kishin studiuar atë në tërësi. Deputeti socialist Elmaz Sherifi, nisur dhe nga mungesa e relatorit Spartak Braho, kërkoi shtyrjen e shqyrtimit. Sekretari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Sali Shehu u shpreh se, “duhet t’i lihet kohë opozitës për të mbajtur një qëndrim në lidhje me këtë ligj”. Edhe pse ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, maxhoranca vendosi shtyrjen nen për nen të këtij projektligji. Mbi bazën e kësaj kërkese u la që shqyrtimi i projektligjit të realizohet të hënën e ardhshme. Drafti i qeverisë “Për Gjykatën Administrative” shihet si pjesë e rëndësishme për paketën e reformës në drejtësi. Kjo nismë ka pasur kontestime të mëdha nga ana e opozitës dhe nga ana e grupeve të interesit, të cilët kërkojnë një rishikim të saj. Gjithashtu ka pasur edhe disa vërejtje dhe sugjerime nga ana e institucioneve ndërkombëtare, si OPDAT dhe EURALIUS. Këto vërejtje iu janë bërë publike deputetëve të Komisionit të Ligjeve, të cilët e kanë këtë si pjesë e punës për shqyrtimin nen për nen të projektligjit. Projektligji u paraqit nga ana e qeverisë katër muaj përpara. Deri më tani është diskutuar vetëm në parim për këtë projektligj, duke zhvilluar seanca dëgjimore me grupe të ndryshme interesi, si dhe nga ana e OPDAT dhe të EURALIUS. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pasur kontestime në lidhje me këtë projektligj, duke kërkuar që emërimet të realizohen nga vetë ato, jo nga Ministria e Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›