E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Kushtetuesja rrëzon qeverinë

 Aristir LumeziGjykata Kushtetuese rrëzoi me 9 vota kundër ligjin e Lustracionit. Kushtetuesja e cilësoi këtë ligj antiligjor dhe antikushtetues. Marrja e një vendimi të tillë, si ai i përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, nëntë me zero, tregon se argumentet e sjella dhe nga Komisioni i Venecias nuk linin hapësirë për interpretime të tjera. Një vit më parë, Partia Socialiste paditi në këtë gjykatë ligjin, i cili hapi një debat të gjerë publik dhe politik, i cili kërkonte hapjen e dosjeve të kohës së komunizmit për një kategori të gjerë ish-funksionarësh shtetërorë. Gjykata Kushtetuese, mori menjëherë pas depozitimit të kërkesës vendimin e pezullimit të zbatimit të ligjit, vendim që u prit me kritika dhe akuza nga ana e maxhorancës që e kishte miratuar atë në Kuvend. Gjykata nuk u nxitua në marrjen e vendimit për ligjin e dosjeve, po iu drejtua Komisionit të Venecias, që të shprehej për këtë çështje. Ky komision, të cilit gjykata Kushtetuese i është drejtuar dhe në raste të tjera të ligjeve delikate që kërkojnë një ekspertizë evropiane, pak muaj më vonë, dha opinionin e saj duke e cilësuar ligjin për pastërtinë e figurave një ligj të zakonshëm, ndërkohë që ai duhet të merrte një shumicë të cilësuar në Kuvend. Ndërsa nga pikëpamja kushtetuese, ky ligj sipas Venecias, bie ndesh me përcaktimet kushtetuese se kur një funksionar shtetëror mund të lerë postin e tij. Sipas arsyetimit të bërë nga komisioni i Venecias, ligji hyn në ligjet e thjeshta e ndonëse për nga natyra e tij nuk mund të ndryshojë çka parashikohet në kushtetutë, modifikon garancitë kushtetuese të përcaktuara për funksionarët e lartë të shtetit. Komisioni kujton se kushtetuta shqiptare përcakton specifikisht rastet dhe procedurat për ndërprerjen e mandatit të presidentit, anëtarëve të gjykatës së lartë dhe të deputetëve. Ndërkohë që ligji i dosjeve i fshin këto garanci që atyre u jep mandati, kanë shpjeguar ekspertët e komisionit të Venecias. KonfliktiQë në nisje të gjykimit të saj, përfaqësuesit e qeverisë, kërkuan largimin e katër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të konfliktit të interesit që ata kishin me këtë çështje, për shkak të detyrës që kanë pasur para viteve '90. Përfaqësuesi i qeverisë, Viktor Guma, kërkoi largimin nga gjykimi i çështjes të Vladimir Kristo, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Petrit Plloçi, pasi sipas tij, ata ishin objekt shqyrtimi i nenit 3 dhe 4 të ligjit të Lustracionit. Sipas tij, ata kanë dhënë dënime politike në pozicionin e prokurorit dhe gjyqtarit politik gjatë regjimit komunist. këtë kërkesë të përfaqësuesve të qeverisë, gjykata e mori në shqyrtim dhe e rrëzoi duke u shprehur se "Gjykata Kushtetuese është shprehur me disa vendime të saj, duke cilësuar si përparësi kryerjen e funksionit të gjykatës para kërkesës për bllokimin e punës së saj". Vendimi i kësaj gjykate për ligjin "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve", u mor vetëm pasi Komisioni i Venecias iu përgjigj kërkesës së saj, ndërsa edhe institucione si Këshilli i Evropës, ambasadorë të huaj në Tiranë u shprehën për një rishikim të tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›