Rama e Berisha në 3 vjetorin e Ora News
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishin dje së bashku, në ceremoninë e 3 vjetorit të krijimit të "Ora News". Megjithatë, klima e nxehtë politike dhe debati i ashpër për hapjen e kutive, duket se ka ndikuar që dy liderët të mos trokasin gotat me njeri tjetrit. Për rreth 30 minuta, kreu i maxhorancës dhe ai i opozitës ishin vetëm pak metra larg. Në përfundim të fjalës së rastit të drejtorit të përgjithshëm, Alfred Peza dhe Presidentit Ylli Ndroqi, kryeministri nisi të takonte të ftuarit në këtë festë. Pak larg tij ishte kundërshtari politik, Edi Rama, i cili qëndroi gjatë gjithë kohës me deputetët Edurd Shalsi e Taulant Balla si dhe kreun e G99, Erion Veliaj. Për disa momente ai u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo dhe ish deputetin e Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj. Por pasi takuan të pranishmit Berisha e Rama u gjendën sërish pranë njeri tjetrit. Kryeministri teksa takoi disa të ftuar të tjerë, u afrua pranë tavolinës së kryebashkiakut, i cili pasi pa Berishën përshëndeti bashkëbiseduesit dhe u largua nga salla e Hotel Sheraton. Nga ana e tij, kryeministri vijoi përshëndetjet, ku ndër të tjerë u ndal edhe me kreun e G99, Veliaj, të cilin vetëm tre ditë më parë e ironizoi për një kërkesë që forca e tij politike i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë procesverbalet e qarkut të Beratit dhe Tiranës. Pasi u largua nga aktiviteti kreu i opozitës u ul në barin e hotelit së bashku me kryetarin e Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Gjatë ceremonisë, drejtuesit e Ora News kujtuan momentet e krijimit të tij, si dhe evenimentet kryesore të këtyre 36 muajve.