E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi i superstradës, banorët në protestë

 KRUJE - Banorë të fshatit Bushnesh të Krujës kanë bllokuar superstradën Fushkrujë-Milot, për rreth 30 minuta. Rreth orës 16:00, ata vendosën një furgon në mes të kryqëzimit të fshatit Bushnesh, për të bërë të mundur edhe bllokimin e lëvizjeve të mjeteve. Shkak i kësaj proteste janë bërë punimet që po kryhen për zgjerimin e superstradës. Sipas banorëve, firmat që po kryejnë punimet kanë bllokuar të gjithë kanalizimet, duke shkaktuar për pasojë edhe përmbytjen e tokave dhe banesave të tyre që ndodhen në anë të superstradës. "Sa herë ka reshje ne përmbytemi, pasi janë bllokuar kanalizimet dhe uji nuk ka nga ikën. Unë kam kryer së bashku me katër vëllezërit e mi një investim prej 100 mijë euro, duke mbjellë bime dekorative, por tani ato po dalin jashtë prodhimit pasi ndodhen nën ujë. Kemi ngritur zërin në instancat përkatëse por deri tani nuk pyet askush për ne. Kemi kontaktuar edhe me firmën që po kryen punimet për zgjerimin e autostradës e cila na garantoi se do t'i hapte kanalet por, deri tani asgjë nuk është bërë", u shpreh banori i këtij fshati Andi Gjoka. Ndërsa një tjetër banore, Katerina Kola u shpreh se "dy ditë më parë na kanë ardhur edhe forcat e policisë duke na thënë që nuk duhet të pengojmë ndërtimin e rrugës. Ne nuk jemi kundër zgjerimit të superstradës, por shteti të na dëmshpërblejë". r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›