E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, PD-ja nuk do të njohë vendimin e Kushtetueses

30/01/2009  Kuvendi zhvillon debate të ashpra për ligjin. Mazhoranca garanton zbatimin e tij, pavarësisht vendimit të gjykatës

Leskaj: Po spekuloni, opozita ka qenë dhe është pro hapjes së arkivave

Albana Lika

Partia Demokratike, pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve dhe mungesës së konsensusit të opozitës parlamentare, ka vendosur të mos njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për lustracionin. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku dy partitë kryesore në vend u përfshinë në debate të ashpra për këtë ligj, mazhoranca përmes drejtuesve të saj të lartë shprehu vendosmërinë për zbatimin e ligjit në fjalë mbi të gjithë zyrtarët, si të sotmit, ashtu dhe mbi ata që do të zgjidhen nesër. Të djathtët u treguan indiferentë ndaj raportit kritik të BE-së, por u shprehën të hapur se ndërkombëtarët të monitorojnë procesin e zbatimit të ligjit. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj theksoi vullnetin politik të opozitës për të hapur dosjet në respektim të Kushtetutës.

Vendimi

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, paralajmëroi mosnjohjen e vendimit të Kushtetueses mbi ligjin e dosjeve, ligj i cili pritet të ankimohet sot nga opozita. Siç u shpreh ai, PD-ja nuk mund të pranojë një vendim në konflikt interesi. “Ne jemi përcaktuar qartë dhe kemi votuar për hapjen e dosjeve, duke filluar nga dosjet tona. Ne jemi për shtetin ligjor dhe kemi respektuar të gjitha vendimet e gjykatave, sidomos të asaj Kushtetuese dhe jemi gati ta bëjmë sërish këtë, por sigurisht nuk mund të pranojmë një vendim në konflikt të pastër interesi, për të cilin është shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe eksplicite Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut”, - theksoi Patozi. Në këtë linjë edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u sugjeroi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të mos merren me shqyrtimin e çështjes, pasi sipas saj ata kanë konflikt interesi. “Ligji i lustracionit është për ata që janë sot në këtë sallë dhe për ata që do të jenë nesër. Ligji është për ata që janë titullarë në majat më të larta të pushteteve të sotme, ndërsa ju kërkoni të futni probleme në shoqërinë shqiptare. Ne kërkojmë të bëjmë atë që kërkon standardi dhe nuk merremi me nëpunësin e thjeshtë. Ne kërkojmë standarde vetëm për nivelet më të larta: titullarë, deputetë, gjykatës të lartë, prokurorë dhe këtu ne ndahemi me ju”, - deklaroi Topalli. Lidhur me reagimet e ndërkombëtarëve, mazhoranca i ka lënë mënjanë ndërkombëtarët, duke nënvizuar se ky debat për ligjin për pastrimit e figurës së zyrtarëve është mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa vetë zëvendëskryeministri Genc Pollo tha se Qeveria mirëpret çdo monitorim nga ana e BE-së për zbatimin e ligjit të lustracionit. “Qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji. Çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tri shkallët e gjykatave dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. Ftoj opozitën që të marrë pjesë në Autoritetin e Kontrollit të Figurës”, - tha Pollo. Numri dy i qeverisë, duke ndarë përgjegjësitë politike për këtë çështje, ia faturoi ato opozitës.

Opozita

Nga ana tjetër, kryetarja e grupit kuvendor të PS-së akuzoi mazhorancës se po provokon opozitën dhe se po e fut Kuvendin në krizë. Leskaj u kërkoi kundërshtarëve të saj politikë të mos spekulojnë me qëndrimin e opozitës dhe deklaroi se opozita ka qenë dhe mbetet pro hapjes së dosjeve, përfshirë dhe të atyre që ishin në sallë. “Deklarata e djeshme e BE-së fillonte me kërkesën për konsensus politik, por ajo që ju po bëni sot është kundër kësaj kërkese të BE-së”, - kujtoi Leskaj.

Aldo Bumçi

Ligji ka një forcë morale dhe kërkon të ndajë Shqipërinë nga e kaluara komuniste dhe të çrrënjosë trashëgiminë e atij sistemi. Ai kërkon që ata që qeverisin këtë vend të emëruar dhe të zgjedhur të mos kenë lidhje me të kaluarën komuniste. Por dhe kaq është shumë për Edi Ramën dhe PS-në. Ata janë kundër këtij morali, edhe pas 18 vjetësh, kur e majta pretendon për një politikë të re, ajo nuk arrin dot të hedhë këtë hap minimal.

Valentina Leskaj

“Deklarata e Bashkimit Evropian fillonte me kërkesën për konsensus politik. Ajo që po bëni ju sot është kundër kësaj linje. Ju po hidhni në erë konsensusin, po futni në krizë Parlamentin dhe po provokoni opozitën. Natyrisht që sot unë prisja nga ju, zonja Kryetare, dhe nga ju zëvendëskryeministër një reflektim ndaj kritikave që bëri Bashkimi Evropian dhe organizma të lartë ndërkombëtarë për ligjin e dosjeve.”

Astrit Patozi

“Ne i kuptojmë shqetësimet e partnerëve tanë euroatlantikë dhe kemi një qëndrim shumë të drejtë dhe të pastër për ta. Por me këtë ligj ne duam të pastrojmë institucionet më të larta të shtetit nga të gjitha fosilet e diktaturës, që ende vazhdojnë të kacavirren në shtetin e së drejtës. Ju keni në kurriz të gjitha pseudonimet që vetë keni hedhur këtu. Por ju duhet të çliroheni nga nostalgjia që keni për diktaturën dhe nga fijet që ju lidhin me të.”

Batutat

Çështja “Ivanaj”

Braçe

“Do ta përsërisë prapë në çdo festë të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse të gjithë pacientët nën administrimin e tij, veçanërisht në QSUT, janë në kushte mizerabël i presin, siç treguan mediet dje, me karrige e jo në shtretër, i presin me receta, por pa ilaçe. Zëvendëskryeministrit, në mungesë të Kryeministrit, do të doja ti dhuroja këtë rrip për ta lidhur zëvendësministrin Ivanaj, që të mos bëjë të njëjtën gjë dhe herës tjetër.”

Xhaferri

“Ndoqa kolegun parafolës i cili foli për ministrin e Shëndetësisë, por gjërat kanë një moral. Atë rripin që vendos këtu ta mbajë e tia çojë kryetarit të tij se zëvendësministri i shëndetësisë në një festë private hoqi vetëm këmishën, kurse ai rripi mund ti bëjë një punë kryetarit se mund ta përdorë për gjethe fiku se ka dalë para shqiptarëve komplet lakuriq”.

Çështja e dosjeve

Bumçi

“E majta e sotme e Edi Ramës nuk i afrohet as së majtës së ’97-s. Në atë kohë ajo, megjithëse e deformoi dhe degradoi ligjin e lustracionit të miratuar në vitin 1995, të paktën sa për sy e faqe e la atë në fuqi. Por sot Edi Rama nuk e arrin dot as këtë standard. Ai është njeriu-fasadë, që mbështjell në një ambalazh të ri një mesash të vjetër dhe antinjerëzor.”

Topalli opozitës - Kanë tërhequr zvarrë trupat e fëmijëve edhe në vitin ’89 në qytetet e Shqipërisë. Nuk e kuptoj si qeshni, zotërinj (opozitës), a jeni prindër ju, a keni fëmijë!?

Patozi

“Ligji për lustracionin ka qenë debat mes mazhorancës dhe opozitës. Ne ju ftuam në betejë dhe e fituam, sepse ju latë karriget kur u diskutua ky projekt. Ju keni në kurriz të gjithë pseudonimet e diktaturës, që vetë i keni hedhur këtu.”

Topalli - Zoti Malaj, ju mbaroi koha.

Malaj - Nëse mua më mbaroi koha për të diskutuar, duhet të kuptoni zonja Kryetare se juve ju mbaroi koha për të treguar se sa arrogante jeni në këtë parlament.

Topalli opozitës - Po ju them tash pas 4 vjetve, sepse nuk di nëse do të jeni më në këtë parlament, por para se të mashtroni lexoni mirë Rregulloren e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›