E Diel, 1 Nëntor 2026

Në shkurt vijnë raporterët për ligjin e dosjeve dhe zëvendësimin e anëtarëve

30/01/2009  APKE vendos për ratifikimin e kredencialeve të delegacionit parlamentar shqiptar

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka ratifikuar kredencialet e delegacionit të Parlamentit shqiptar. Në seancën e djeshme plenare Komiteti i Rregullores dhe Mandateve ka paraqitur raportin përfundimtar pas ekzaminimeve që iu bë rastit të zëvendësimit të kryetarit të delegacionit shqiptar Aleksandër Biberaj me Ilir Rusmalin. “Pas shqyrtimit të kundërshtimeve Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës gjeti se nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se principet e garantuara nga Rregullat e Procedurave të Asamblesë nuk ishin respektuar për përcaktimin e anëtarëve të delegacionit parlamentar të Shqipërisë dhe si rrjedhojë u vendos në mënyrë unanime për të ratifikuar kredencialet e tyre”, - thuhet në njoftimin zyrtar të APKE-së. Në njoftim thuhet se në hapjen e sesionit të ri të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2009 kredencialet ende të paratifikuara të delegacionit shqiptar në APKE u kontestuan për rrethanat procedurale, pasi kishte arsye të besohej se një nga anëtarët e delegacionit për sesionin e vitit 2008 iu hoqën delegacionit për sesionin e vitit 2009 për shkelje të rregullave procedurale. Duhet theksuar se votimi në Asamble për ratifikimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar u mundësua nga 70 vota pro dhe 4 abstenime. Por Asambleja përbëhet nga 650 anëtarë, prej të cilëve 375 me të drejtën vote, ndërsa 275 pa të drejtë vote. Por kjo situatë nuk përfundon me vendimin e ditës së djeshme, pasi Këshilli i Evropës do të hetojë rastin e zëvendësimit të anëtarëve të delegacionit përmes të dërguarve të tij. Në datat 9 dhe 10 shkurt në Tiranë do të mbërrijnë dy reporterë për Shqipërinë, të caktuar nga APKE-ja. Këto personalitete kanë detyrën të vëzhgojnë konkretisht mbi ligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, të miratuara pak kohë më parë në Parlamentin shqiptar dhe për zëvendësimin e Biberajt me Rusmalin në delegacionin parlamentar shqiptar në Asamblenë e KE-së. Pas përfundimit të vëzhgimeve dy raporterët do të përgatitin një raport të detajuar mbi vlefshmërinë ligjore të këtyre dy rasteve. Me largimin e Biberajt nga negacioni Shqipëria humbi përfaqësimin e saj në disa poste tepër të rëndësishme në hierarkinë e Këshillit të Evropës, ndër të cilat postin e zëvendëspresidentit të APKE-së dhe të raporterit për krimet e komunizmit në Ukrainë. Mësohet se, në qoftë se nuk do të ishin bërë zëvendësimet dhe Biberaj të vijonte në postet e mëparshme, ai (Biberaj) gjatë muajit shkurt do të vizitonte Moskën. Në kryeqytetin rus ai të zhvillonte një takim me Presidentin e Dumës. Po ashtu ishin parashikuar edhe takime me presidentin e Republikës së Rusisë Dimitri Medvedev dhe kryeministrin Vladimir Putin. Oponenca për përbërjen e delegacionit të Parlamenti shqiptar në APKE u bë në hapjen e sesionit të ri të Asamblesë. Ishte deputeti hungarez që ka ngritur sfidën. “Kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët e Asamblesë nga Shqipëria është shkarkuar në një mënyrë që është në kundërshtim të rregullave”, - deklaroi ai. Më pas Komiteti i Rregullores dhe Mandateve nisi punën për të bërë verifikimet e nevojshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›