E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i qeverisë fton ish-presidentin Klinton për një vizitë në Tiranë

30/01/2009  “Do të pritet si një hero kombëtar nga shqiptarët për atë që ai ka bërë për lirinë e tyre”

Kryeministri Sali Berisha ka takuar dje në Davos ish-presidentin amerikan Bill Klinton, me të cilin ka ndarë mendime mbi krizën financiare globale. Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se Klinon nënvizoi se nga kriza dilet duke ndihmuar njëri-tjetrin. Berisha tha se Klinton riafirmoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e tij për të vizituar Shqipërinë në kohën sa më të shpejtë të mundshme për të. “E sigurova se pritet si një hero kombëtar nga të gjithë shqiptarët për atë që ai ka bërë për lirinë e tyre”, - nënvizoi Berisha. Shefi i ekzekutivit nënvizoi se seanca e Presidentit Klinton ishte një seancë shumë e rëndësishme, pasi ai garantoi audiencën dhe botën se Presidenti i ri amerikan Barak Obama do të çojë përpara procesin e zgjidhjes së krizës financiare në Shtetet e Bashkuara dhe u shpreh me nota të qarta optimiste. Duke iu referuar situatës jo të mirë që po kalon e gjithë bota, Kryeministri Berisha ka theksuar se “është e domosdoshme që programi i Presidentit Obama të mbështetet nga vendet e tjera, duke blerë bonot e thesarit në interesin e tyre më të mirë, që Amerika të rrisë kapacitetet e saj importuese. Pra, po studiohen të gjitha aspektet e krizës”, - ka thënë ai. Gjatë ditës së djeshme Kryeministri Berisha ka pasur një takim me homologun e tij turk Taip Erdogan. Berisha bëri me dije se kryeministri turk i premtoi se ai dhe qeveria e tij është e gatshme të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për projektet që kalojnë nga Shqipëria për në Itali, pasi është e kuptueshme se Shqipëria nuk mund të jetë destinacioni final i tregut të gazit. Kryeministri Berisha e njohu homologun Erdogan me ecurinë e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur në veçanti në krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tij përmes lehtësimit të procedurave, politikës së taksave të ulëta, projekteve të rëndësishme infrastrukturore, që ndihmojnë zhvillimin e sipërmarrjeve të tyre në Shqipëri. Të dy personalitetet diskutuan edhe për çështje që lidhen me proceset integruese të Shqipërisë, ku kryeministri turk ritheksoi edhe një herë mbështetjen e plotë të Turqisë për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Po gjatë ditës së djeshme Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim edhe me ish-shefen e financave të fushatës së Presidentit Obama, aktualisht shefe ekzekutive e një kompanie shumë të madhe në fushën e hoteleve dhe turizmit. Berisha tha se gjatë takimit ka bërë një ekspoze të reformave të mëdha që ka ndërmarrë qeveria e Tiranës me kontributin e projekteve të “Millenium Challenge Account Coorporation” dhe USAID-it në luftën kundër korrupsionit dhe në modernizimin e sistemit tonë të prokurimeve, sistemit të regjistrimit të bizneseve, sistemit të vjeljes së taksave. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, nga ana e saj Pritsker ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit. Ajo shprehu bindjen se administrata e re është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë në të gjitha projektet e reformat në vend.

Takimet në Davos

Kryeministri Berisha gjatë qëndrimit në Davos, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, ka zhvilluar takime të shumta me personalitet ndërkombëtare. Ai ka takuar ish-Presidentin Bill Klinton, i cili risigurojë për vizitën e tij në Tiranë. Po ashtu Berisha ka takuar kryeministrin turk Taip Erdogan. Ai zhvilloi një takim edhe me ish-shefen e financave të fushatës së Presidentit Obama si dhe me drejtorin e FAO-s, Jacques Diouf.

Vlerësim për reformat

Drejtori i përgjithshëm i OKB-së për Ushqimin dhe Agrikulturën Jacques Diouf ka vlerësuar qeverinë shqiptare për sukseset e arritura veçanërisht në fushën e infrastrukturës, por dhe në fusha të tjera të rëndësishme të ekonomisë. Gjatë takimit me Diouf Kryeministri Berisha ka vënë theksin te reformat dhe investimet e mëdha që po bën qeveria e tij. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën që ka dhënë FAO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›