Rama inspekton lulishten te Materniteti: Na pengon Qeveria
"Plot 6500 metra katrorë gjelbërim dhe hapësirë çlodhëse, për një komunitet të tërë në këtë zonë periferike të Tiranës, besoj se janë një tjetër shprehje kuptimplotë e Tiranës, që ne po rindërtojmë në çdo bllok banimi dhe njëkohësisht edhe një shembull i një angazhimi të pandërprerë, për ta transformuar cilësisht jetën e komunitetit të kryeqytetit, pavarësisht pengesave të jashtëzakonshme dhe të panevojshme në rrugën tonë, nga ana e një Qeverie që nuk e ka haberin e punëve, e nevojave dhe mbi të gjitha e shpresave të qytetit tonë", këtë deklaratë bëri dje kryebashkiaku Edi Rama, pas inspektimit të punimeve për "Rikualifikimin Urban të Lulishtes përballë Maternitetit të Ri". Projekti i rehabilitimit konsiston në rikualifikimin e hapësirave urbane në zonën përballë Maternitetit të Ri midis pallateve dhe Bulevardit "Zhan d'Ark". Gjithashtu synon pajisjen e sheshit me elementë të mobilimit urban, me karakter çlodhës, pajisjen me elementë të ndriçimit, elementë të gjelbërimit: pemë të larta 3-4 metra, sipërfaqe me bar, shkurre të disa llojeve dhe ngjyrave) Projekti financohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, me vlerë 44.055.673 lekë.