Rama: S’kam ardhur t'ju marr votën
"Nuk kam ardhur t'ju bëj premtime për t'ju marrë votën". Me këto fjalë ka vazhduar turi i Kryetarit të PS Edi Rama në "Dialogun me Shqipërinë", për problemet e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vazhduar në fshatrat Manzë e Borizanë të Qarkut Durrës. Gjatë takimeve të zhvilluara me banorët atje Rama është ndalur tek fakti, se varfëria është çdo ditë e më shumë prezent në periferitë urbane të vendit. Ky është një fakt shqetësues për kë ka sy të shikojë e vesh të dëgjojë. Duke iu referuar shifrave zyrtare për rritjen ekonomike Rama u shpreh se ato janë shumë larg realitetit, madje paradoksale dhe qesharake. "Nuk kam ardhur këtu të bëj premtime. Nuk kam dalë nëpër Shqipëri dhe ku kam takuar me dhjetëra-mijëra njerëz, si ju, si unë, për t'ju premtuar atë që nuk bëhet, me qëllim që nesër t'ju marr votën. Por, kam dalë për t'ju dëgjuar dhe kuptuar se çfarë mund të bëjmë së bashku, me qëllim që nesër të vijë këtu dhe t'ju premtoj atë që mund të bëhet, të mos ju premtoj atë që nuk bëhet. Prandaj, këto janë zgjedhjet tuaja, janë zgjedhjet e çdo prindi, që nuk do që familja e tij të jetë në këtë gjendje", tha Rama. Duke komentuar deklaratat e qeverisë për rritjen e ekonomike, Rama tha se sipas qeverisë na rezulton, se rritja ekonomike e Shqipërisë qenka edhe më e madhe se ajo e Kinës, duke e cilësuar këtë një absurditet.