E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet “VIP”, Prokuroria fillon ti bjerë “fizarmonikës” së qeverisë

Që nga dështimi i dosjes “Plazhi i gjeneralit” deri te bllokimi i “Durrës-Kukës”. Dritëhijet e hetimit të dosjes “Gërdeci” dhe implikimi i gjeneralëve në të

Habjon Hasani

Tiranë - Nëse në epokën e qeverisjes socialiste kishin bujë pushimet e hetimeve për çështje të forta penale, duket se në qeverisjen demokrate hetimet nisin me bujë por rrugës për në gjykatë këto dosje “pengohen” dhe “rrëzohen” nga surprizat e paparashikuara procedurale. Janë të paktën tri dosje të rëndësishme, të cilat “i kanë ngecur” në dorë pikërisht Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Rrethit Tiranë, ku spikat dosja “Gjiri i gjeneralit”. Hetimi i saj zgjati disa muaj dhe në procedurat hetimore asistuan edhe ekspertët amerikanë të atashuar pranë Prokurorisë sonë. Personazhe të fuqishëm të botës së biznesit në vend apo zyrtarë të aparatit qeveritar rezultuan të implikuar në vjedhjen nëpërmjet falsifikimit të 45 hektarëve troje në bregdet. Si rezultat i hetimit, prokurori i çështjes kërkoi arrestimin e gjashtë personave, por vetëm katër prej tyre ranë në pranga, ndërsa kaluan në gjendje të lirë për gjykim ish-kreu i AKKP-së, si dhe një biznesmen shumë i fuqishëm vendas. Fletarrestet e prokurorit të çështjes u “pezulluan” për dy muaj në Prokurorinë e Përgjithshme. Abuzimet me pronat janë bërë objekt i punës hetimore të Prokurorisë me një fluks të theksuar në dy vitet e fundit, por pavarësisht peshës së këtyre hetimeve, këto të fundit asnjëherë nuk janë shtrirë deri në nivelet e larta që i kanë pranuar në heshtje ose i kanë mbështetur haptazi këto abuzime.

Kalimash

Një dështim spektakolar po kanos çështjen e shumëpërfolur të abuzimeve me tenderin dhe ndërtimin e Rrugës Rrëshen-Kalimash. Prokurorët e çështjes dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë certifikuar në padinë e tyre shkeljet e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, por një shtyrje e hetimeve e kërkuar në mënyrë të çuditshme nga Prokuroria e Përgjithshme ka futur në kolaps të gjithë çështjen. Ndonëse veprimet antiligjore të Bashës ishin vërtetuar plotësisht, vonesat në kryerjen e disa procedurave rutinë po kanosnin afatet e hetimit. Prokuroria përfitoi një shtyrje afati prej një muaji, por kur ajo kërkoi dhe një shtyrje të dytë kjo kërkesë iu refuzua nga gjykata duke i stopuar hetimet. Në këto kushte, kryeprokurorja doli publikisht dhe deklaroi se do ta apelonte këtë vendim, por ishte e detyruar ta respektonte përsa kohë ishte në fuqi. Pikërisht në periudhën e “tranzicionit të vendimeve”, Prokuroria e shpalli ish-ministrin Basha si të pandehur. Ky i fundit, nëpërmjet avokatit të tij, e quajti shkelje klasifikimin e tij si të pandehur në kushtet kur gjykata ia kishte ndaluar Prokurorisë të vazhdonte hetimet. Për hir të së vërtetës, deri në momentin e vendimit të gjykatës, për Bashën nuk ishte firmosur asgjë. Por, pavarësisht “trukeve ligjore”, është i sigurt fakti se ministri Basha ka kryer me iniciativën e tij një zinxhir procedurash të jashtëligjshme, të cilat treguan se Ministria e Transporteve ishte totalisht jashtë loje dhe se projekte me kosto prej qindra miliona eurosh “kopsiteshin” sa nga zyra e Andi Tomës (ish-drejtor Juridik) deri te zyra e ish-ministrit Basha. Sot çështja është për gjykim në Gjykatën e Lartë, ndërsa njëra nga gjyqtaret e trupit kërkoi dorëheqjen.

“Gërdeci”

Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme thuajse është mbyllur kapitulli i shpërthimit në “fabrikën e vdekjes”, por nga ana e grupit të hetimit po vazhdon puna intensive për të hedhur dritë edhe mbi trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Megjithatë, duket se në sinkron me “këshillat” e qeverisë, Prokuroria thuajse ka njehsuar përgjegjësinë mes krerëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe atyre të Shtabit. Nga burimet pranë organit qendror të akuzës mësohet se do të ketë akuza të tjera nëse vërtetohet trafiku i armëve. Dyshohet se janë zyrtarët e Ministrisë që i kanë dhënë të drejtën Delijorgjit për fabrikën e demontimit dhe kanë shmangur që aty ushtarakët që tashmë janë nën akuzë nga Prokuroria. Po nga të njëjtat burime mësohet se edhe në dëshmitë e ushtarakëve të dhëna pas njohjes me akuzat janë përmendur fakte që tregojnë për përjashtimin e tyre për të mundësuar trafikun e armëve. Për trafikun e armëve do të jetë tepër vendimtare edhe dëshmia e Diverolit, i cili ka akuzuar drejtpërdrejt Ministrinë e Mbrojtjes dhe drejtuesit e saj për mashtrim. Letërporosia e Diverolit tashmë është në duart e grupit të hetimit dhe për akuzat e tij pritet që persona të tjerë të merren në pyetje. Megjithatë, trafiku i fishekëve drejt Afganistanit duket se është dhe çështja më problematike, tanimë që Kosta Trebicka, dëshmitari dhe denoncuesi i shumë takimeve dhe skemave korruptive, nuk jeton më pas aksidentit të dyshimtë që pësoi pak muaj më parë.

“Gërdeci”, Ambasada Amerikane inkurajoi hetime të gjithanshme

Që pas shpërthimit vdekjeprurës më 15 mars në Gërdec, hetimi i kësaj çështjeje është shoqëruar vazhdimisht me dritëhijet e “luftës” së ftohtë për bllokimin e hetimeve. Pas dy muajsh hetimi paraprak dhe intensiv nga Prokuroria, më 3 qershor të vitit të kaluar nga ambasadori amerikan do të vinte një deklaratë e fortë, e cila komprometoi publikisht rolin e qeverisë në raport me hetimet. Strumbullari ishte kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Pas mbërritjes së kësaj kërkese, kryeparlamentarja Topalli i dërgoi një përgjigje Prokurorisë, të cilën zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit e quajtën si një “letër-horror”. Dukej sikur kryeparlamentarja ishte kthyer në gjykatëse duke i sugjeruar madje Prokurorisë se si duhej hetuar zoti Mediu. Pas një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Uidhers ka shprehur zhgënjimin e tij dhe të qeverisë amerikane për përpjekjet që janë bërë për të bllokuar hetimet për çështjen e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çdo lloj përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme, dhe jo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - deklaroi asokohe Uidhers. Më 7 prill 2008, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, i dha sinjal të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare duke kërkuar evitimin e çdo ndërhyrjeje politike ndaj hetimeve që po ushtronte Prokuroria e Përgjithshme për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. “Ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme, për të gjetur të dhënat për kundërvajtje, shpresoj se nuk do të hasë asnjë ndërhyrje politike të asnjë lloji. Më tej shpresoj që procedurat gjyqësore të jenë rigoroze dhe që çfarëdo vendimesh që mund të jepen nga gjykatat shqiptare të jenë në përputhje me krimet, pavarësisht statusit apo lidhjeve politike të kriminelëve”, - ka deklaruar ambasadori Uidhers. Ai nuk do të ngurronte të shprehte mbështetjen absolute ndaj kryeprokurores Ina Rama për realizimin e plotë të hetimeve. “Unë dua të shpreh mbështetjen time të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm dhe të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit. Ky hetim duhet të arrijë kudo ku çojnë të dhënat, pavarësisht se në ç’drejtim apo se kush është i përfshirë. Vetëm kjo do të rivendosë besimin publik në institucionet shqiptare të drejtësisë", - ka thënë Uidhers.

Oreksi i qeverisë, Kushtetuesja shpëtoi “hetimet” e prokurorëve

Diku nga mesi i korrikut, në kulmin e acarimit të marrëdhënieve mes Ekzekutivit dhe Prokurorisë, Gjykata Kushtetuese i ka thënë “jo” një kërkese të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, e cila në thelb të saj synonte që Gjykata Kushtetuese të vendoste që prokurorët të mos kishin më tagrin e vendimmarrjes për pezullimin e hetimit të çështjeve të regjistruara. Kjo kërkesë i ka shkuar Gjykatës Kushtetuese në janar të këtij viti, ndërsa periudha e korrikut, kur kjo çështje u gjykua, ishte një periudhë kur zyrtarë të lartë shqiptarë po hetoheshin nga Prokuroria për dy dosje të bujshme, siç ishin “Rrëshen-Kalimash” dhe “Gërdeci”. Gjithsesi, kërkesa e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda erdhi si pasojë e përplasjes mes saj dhe Prokurorisë gjatë hetimit të një konflikti pronësie. Historiku është i thjeshtë, pasi mori denoncimin për çështjen e pronësisë, Prokuroria kreu veprimet e para procedurale dhe vendosi pushimin e pjesshëm të çështjes, ndërkohë që ky vendim i Prokurorisë u pa si i padrejtë nga Gjykata e Apelit dhe kjo e fundit vendosi që të shprehej Gjykata Kushtetuese. Por Gjykata e Apelit, në mënyrë “të çuditshme”, pretendoi se “Prokuroria nuk mund të vendoste për pushimin ose jo të një çështjeje pasi ky ishte një vendim drejtësie dhe duhej të merrej nga gjykatat”. Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, vendimi i Prokurorisë binte ndesh me Kushtetutën (Nenin 135) dhe se Prokuroria nuk mund të kishte të drejtë vendimmarrjeje për pushimin ose jo të dosjeve të nisura. Duke qenë se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda po kërkonte heqjen e një kompetence kushtetuese të Prokurorisë (për pushimin ose jo të çështjeve), si palë të interesuara në proces ishin Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave. Nga procesverbali zyrtar rezulton se përfaqësuesi i Kuvendit e konsideroi si një ”tejkalim” kërkesën e Gjykatës së Apelit për të rishikuar kompetencat e Prokurorisë, ndërsa përfaqësuesi juridik i Këshillit të Ministrave nuk ishte pjesëmarrës në ditën që do të merrej vendimi për këtë kërkesë. Gjithsesi, kjo kërkesë e Gjykatës së Apelit duket se shënon një “risi” për vetë faktin se për herë të parë Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda mori shkas nga një çështje e rëndomtë konflikti pronësie për të ndryshuar kompetencat e Prokurorisë mbi trajtimin e dosjeve! Një rast i pashoq në të gjithë historinë 17-vjeçare të demokracisë shqiptare që një gjykatë të ”vërë në dyshim” detyrat kushtetuese të organit të akuzës duke marrë shkas nga një çështje e rëndomtë.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›