Dosjet, debate të ashpra PD-PS në Komision
Tiranë- Projektligji për dosjet ka shkaktuar debate të ashpra sot në Komisionin e Ligjeve mes mazhorancës dhe opozitës, e cila ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes.
Deputetet e PS-së, e kanë cilësuar projektligjin si të njëjanashëm e për pasojë jo të mirë, ndërkohë që për demokratët çdo shtyrje e mëtejshme është humbje kohe. Aldo Bumçi ka bërë me faj Partinë Socialiste për vonesën, duke deklaruar se kanë pritur më shumë se 6 muaj për të arritur në një konsensus mes dy forcave.
Kundër tij është shprehur menjëhere deputeti socialist Fatmir Xhafa, sipas të cilit në kushte të tilla është e nevojshme ekspertiza e KE-së për këtë ligj shumë të rëndësishëm.
Pas shumë debatesh, Bashkim Fino ka kërkuar të votohet shyrja e mbledhjes, por një gjë e tillë nuk është arritur pas votimit. Komisioni votoi kundër propozimit të brë për të shtyrë mbledhjen. Pas kësaj, opozita ka braktisur mbledhjen, ndërkohë që mazhoranca vijon diskutimin nen për nen të projektligjit.