E Diel, 1 Nëntor 2026

Largohet pa lënë gjurmë nëna e dy fëmijëve

Sheqere Kurti, 25 vjeç, banore e qytetit të Elbasanit shkoi që të blinte një tortë për Kurban Bajramin por s’u kthye më

Edhe një grua e moshuar nga fshati Bajakaj i rrethit të Delvinës është larguar në drejtim të paditur

ELBASAN- Doli për të blerë një tortë për dy fëmijët në festën e Kurban Bajramit, por nuk u kthye më në shtëpi, ndërsa gjetjen e saj e vështirëson edhe më tepër fakti që 25-vjeçarja ka grisur çdo fotografi të vetën, duke mos lënë mundësi për identifikim nga ana e policisë. Sheqere Kurti është larguar nga shtëpia të hënën, duke shënuar rastin e dytë të zhdukjes në qytetin e Elbasanit. 25-vjeçarja, lindur në Cërrik dhe banuese në lagjen “Emin Matraxhiu”, nënë e dy fëmijëve, është larguar ditën e Bajramit rreth orës 14:30, duke thënë se do të blinte një ëmbëlsirë, por nuk është kthyer më. Bashkëshorti i saj, Astrit Kurti, ka bërë denoncimin në polici rreth orës 23:00, pasi e kërkoi gjithandej dhe tek të afërmit e saj. Policia e ka shpallur në kërkim 25-vjeçaren Kurti, e zhdukur pa lënë gjurmë. Vjehrra e saj, Hamide Kurti, thotë se nusja e saj kishte thënë në shtëpi se do të shkonte në lagje të blinte një tortë për fëmijët, por nuk u kthye më. “Ne pritëm, por ajo nuk po kthehej dhe djali doli ta kërkonte. Asnjë nuk e kishte parë dhe as në dyqan nuk kishte blerë gjë. Më pas e kërkuam tek të gjithë të afërmit, tek familja e saj në Cërrik, por për nusen nuk u mësua gjë. Djali qan në shtëpi, pasi ka dy fëmijë të vegjël që do të duhet t’i rrisë vetë. Nuk dimë se ku mund të ketë shkuar. Ndoshta e kanë rrëmbyer ose është larguar vetë. Presim nga policia që ta gjejë”. 25-vjeçarja dyshohet se kishte probleme me bashkëshortin e saj. Ajo kishte grisur të gjitha fotografitë që kishte, duke e bërë më të vështirë gjetjen nga policia nëpërmjet publikimit të fotos.

Delvinë, e moshuara e zhdukur prej 5 ditësh

Një grua e moshuar nga fshati Bajkaj i rrethit të Delvinës, 7 km larg këtij qyteti, në mungesë të të shoqit, në orët e mbrëmjes, ka lënë çelësat e shtëpisë tek komshinjtë dhe është larguar në drejtim të paditur. Me kthimin e të shoqit në banesë kanë nisur edhe kërkimet për të moshuarën që është larguar pa treguar drejtimin. Bashkëshorti i saj, Thoma Dimareli, ka kërkuar nga organet e policisë që të ndihmohet për t’u gjetur vendndodhja e bashkëshortes së tij, e cila edhe pas këtyre kërkimeve nuk është bërë e gjallë. Dimareli thotë se e shoqja është veshur me të zeza dhe flokë të lëshuara që i mban me karficë. I shoqi pohon se ky nuk është largimi i vetëm nga banesa i gruas së tij. Në tri raste të mëparshme të largimit ajo është gjetur në fshatrat Kostar, Vrion dhe Aliko, megjithëse në këto fshatra gruaja e humbur dhe familjarët nuk kanë ndonjë të afërm. Të afërmit shpresojnë se mund të shfaqet në këtë zonë. Por kanë kaluar 5 ditë dhe ajo përsëri nuk është kthyer, gjë që ka rritur shqetësimin e familjarëve për mungesën e saj të gjatë. Policia me rrugët e saj operative ende nuk ka siguruar informacion për vendndodhjen e saj, ndërsa dyshohet se gruaja mund të vuajë nga ndonjë sëmundje e humbjes së kujtesës. Zhdukja e tregtarit, policia dyshon vetëvrasjen

ELBASAN - Ndërkohë që nuk ka mbërritur asnjë informacion për 44-vjeçarin Hekuran Latollari, policia ka marrë në pyetje familjarët duke mbledhur sa më shumë informacione për zhdukjen e tregtarit të rrobave. Mësohet se Hekurani vetëm një ditë më parë kishte marrë mallin e furnizimit të dyqanit, të cilin e kishte marrë me qira. Sipas të vëllait, paratë e mallit ai i kishte marrë borxh, por, kur të shiste mallin, do të kthente paratë. “Një natë më parë, pimë kafe bashkë dhe më tha se kishte marrë mallin në Tiranë bashkë me gruan, të premten do të pastronte dyqanin, ndërsa të shtunën do ta hapte. Unë nuk di të kishte ndonjë problem. Ai ishte i rregullt dhe nuk kishte sherr me njeri. Prej kaq ditësh nuk kemi mësuar asgjë. Të paktën të mësojmë nëse është gjallë apo ka vdekur. Të na njoftojnë se e kanë parë dhe ku e kanë parë për herë të fundit”. E motra, Jolanda, thotë se një natë para se të zhdukej e kishte takuar të vëllanë. “Ai dukej normal si gjithmonë dhe nuk vura re ndonjë gjë. Ishalla është gjallë pasi nuk do të lemë gurë pa lëvizuar derisa ta gjejmë”. Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje të gjithë familjarët, përfshirë edhe bashkëshorten, e cila nuk ka sjellë ndonjë gjë të re. Po kështu janë marrë në pyetje edhe shokët e tij, një prej të cilëve e ka parë për herë të fundit teksa largohej me urban. Deri tani nuk ka asnjë pistë, veç asaj të vetëmbytjes. Gjithsesi, edhe për këtë pistë policia tregohet e rezervuar pasi nuk ka prova që e vërtetojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›