E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet e korrupsionit, në Gjykatë vetëm një zyrtar i lartë

Laureta Rryçi

Me gjithë deklaratat e bujshme të kryeministrit se po lufton fort korrupsionin, statistikat e Gjykatës së Tiranës tregojnë se në 2009-n është gjykuar vetëm një zyrtar i lartë. Dosjet e tjera për të njëjtën akuzë kanë qenë në nivele të ulëta të administratës të cilët jo pak herë janë bërë “koka turku” të eprorëve të tyre. Sipas përllogaritjeve të statistikave të Gjykatës tregohet se janë dorëzuar për gjykim 26 dosje për veprën penale të “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, pesë dosje për korrupsion aktivi personave që ushtrojnë funksione publike, 38 dosje për shpërdorim detyre, 20 dosje për korrupsion pasiv, 6 dosje për shkelje të pabarazisë në tender dhe një dosje të vetme për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.
Dosjet
Dosjet e korrupsionit që rezultojnë të jenë 76, një pjesë e mirë e tyre do të mbarten për gjykim në këtë vit. Por, edhe për ato që janë dhënë vendimet, gjykatësit kanë gjykuar që zyrtarët të ndëshkohen me gjobë, të kushtëzohen me disa vite që të mos përfshihen më në administratë si dhe me kusht që të mos kryejnë vepra penale sipas akuzave që kanë pasur. Ndryshe nga vitet e tjera, zyrtarët shfrytëzuan pothuajse të gjithë “Shërbimin e Provës” duke ia hedhur paq kështu si akuzës të ngritur ndaj tyre, ashtu edhe dëmit që i shkaktuan të gjithë buxhetit të shtetit.
Pritshmëritë
Ndërsa ditët e para në gjykatë pritet të kalojnë procedura rutinë si në çdo fillim viti, që kanë të bëjnë me mbartjen e dosjeve, vendime jo pak të rëndësishme e presin Gjyqësorin shqiptar. Dosje të bujshme janë në Gjykatën e Lartë. Dy padi janë pranuar për t’u gjykuar me palë akuzuese ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu. Ky i fundit akuzohet nga dy banorë të Gërdecit për tragjedinë e ndodhur dy vite më parë. Padi po aq të bujshme përfshinë disa personazhe të njohura të politikës për shkak betejës së akuzave që u bë në dhjetor të vitit të kaluar. Disa padi po në këtë gjykatë janë regjistruar me palë të akuzuar kryeministrin Sali Berisha. Ndërkohë, në Gjykatën e Shkallës së parë, një ndër dosjet më të bujshme që po gjykohet është edhe dosja me 29 të pandehur për tragjedinë e Gërdecit. Po kështu, edhe Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë këtij viti e presin shumë sfida si ndaj të pandehurve, ashtu dhe ndaj palëve në proces, siç janë avokatët, në mënyrë që proceset të mos shtyhen pa fund.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›