Transferimet nëpër gjykata, 80 gjyqtarë në garë
Laureta Rryçi
Transferimet nëpër gjykata për 22 vende bosh kanë përfshirë në “ethet” e garës jo pak, por rreth 80 gjyqtarë të gjykatave të ndryshme. Burime pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë shpjeguan dje se kësaj radhe “sita” e përzgjedhjes është bërë edhe më e imët për shkak të rëndësisë që do të ketë kjo lëvizje masive e gjyqtarëve. Kandidatët që kanë aplikuar për këto vende bosh tashmë kanë dorëzuar dosjet në sekretarinë e KLD-së dhe specialistët kanë nisur verifikimet e vërtetësive të dokumenteve të dorëzuara.
Transferimet
Anëtarët e KLD-së, në mbledhjen e fundit ranë parimisht dakord se duke qenë se transferimi i gjyqtarëve do të bëhet pa pëlqimin e tyre, të vendoseshin disa kritere. Në këtë mënyrë, sipas tyre, grupi i punës do të bënte një përzgjedhje sa më profesionale dhe gjyqtarët në gjykatat që do të përcaktoheshin do të jepnin më të mirën e tyre të mundshme. Po kështu është menduar se me transferimin e gjyqtarëve do të prishen shumë skema që mendohet se janë krijuar mes gjyqtarëve. Sipas ankesave të qytetarëve duket se nëpër gjykata ekzistojnë raste kur jepen me qëllim dorëheqje nga dosjet për ta marrë një tjetër koleg. Gjyqtarët që kanë dalë mirë apo shumë mirë në sistemin e vlerësimit, që ka vite që aplikohet në vendin tonë, do të jenë të parët që do të shqyrtohen për t’u transferuar në gjykatat më të mëdha të vendit. Kjo edhe për të rritur imazhin e Gjyqësorit dhe për të pakësuar sa më shumë stërzgjatjet e proceseve civile dhe penale.
Gjykatat
Burime nga Këshilli shpjeguan se dy gjykatat ku numri i gjyqtarëve do të rritet dhe përzgjedhja do të kalojë në një filtër më të madh janë Gjykata e Tiranës dhe ajo e Durrësit.
Gjatë takimit që u zhvillua në muajin dhjetor të vitit të kaluar me kryetarët e gjykatave, në fjalën e tij, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, tregoi se për përzgjedhjen e këtyre gjyqtarëve po bashkëpunohet midis anëtarëve të Këshillit që përfaqësojnë Parlamentin, Gjyqësorin dhe atyre ex officio, siç janë ministri i Drejtësisë dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjithnjë në drejtimin e Presidentit të Republikës. Në këtë riorganizim pritet të kihet parasysh raporti i drejtë midis plotësimit të nevojave jo vetëm të gjyqtarëve për promovim apo transferim, me nevojat e gjykatave.
Box
Vendet bosh për të cilat po garohet
9 vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
7 vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës;
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë;
4 vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet;
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Kandidatët që do të kenë prioritet
Magjistratët që kanë një karakteristikë të mirë nga Shkolla e Magjistraturës.
Ata që gjatë punës së tyre KLD-ja ka marrë për ta vendime dhënie funksione drejtuese, ose për transferim në një gjykatë më të madhe nga ajo që punonin më parë.
Certifikata për pjesëmarrje në trajnime të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës.
Të gjithë ata që kanë marrë tituj studimi, të fituar pas emërimit në detyrë, gjatë kurseve të trajnimit, arsimimit nga veprimtari shkencore, mësimdhënieje dhe në përgjithësi çdo dokument tjetër lidhur me përgatitjen teknike dhe profesionale të gjyqtarit, mes të cilëve dhe dëshmitë për pjesëmarrje në vizita studimore të organizuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Rezultatet që kanë arritur gjatë vlerësimit vjetor të punës të bërë nga kryetari i gjykatës ku ushtron aktivitetin gjyqtari, dokument i cili duhet të dorëzohet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, brenda muajit janar të vitit pasardhës.
Vlerësimet e aftësive profesionale dhe të çështjeve të etikës në vite
Të mos kenë marrë masa disiplinore më parë nga KLD-ja.
Procesverbalet e kontrolleve të bëra nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5 Janar 2010