Plumbat mbi policinë, “Ujku” i Kafazit shpallet në kërkim
Policia e kryeqytetit shpall “wanted” Alban Rexhën e Kafazit të Artë
Thimi Samarxhiu
Alban Rexha shpallet në kërkim për sulmin ndaj policisë. Rexha, i njohur si ish-futbollist, por edhe protagonisti i emisionit “Kafazi i artë”, është shpallur në kërkim nga ana e policisë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me tre persona të tjerë nuk i janë bindur thirrjes së policisë dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje u bë i mundur arrestimi i tre personave; Pajtim Serjani, 26 vjeç, Shamet Mejdani, 21 vjeç dhe Enea Gega, 24 vjeç, ndërsa Alban Rexha është shpallur në kërkim policor.
Masa e sigurisë
Më datë 2 janar të këtij viti, tre të arrestuarit janë paraqitur përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda ku janë njohur me masën e sigurisë të caktuar nga kjo gjykatë, “burg pa afat”. Edhe pse seanca e masës së sigurisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se njëri nga të arrestuarit ka deklaruar në sallë se gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, në makinë me ta ka qenë dhe Alban Rexha, i cili më pas ka arritur të largohet duke i shpëtuar policisë. Kjo gjë ka mjaftuar që Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia të shpallin në kërkim ish-futbollistin, i njohur ndryshe me nofkën “Ujku”. Burime pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se gjatë marrjes në pyetje të të tre të arrestuarve lidhur me motivet e ngjarjes, ata kanë përmendur dhe një person të katërt që kishte qenë me ta, i cili nuk ishte arrestuar. Edhe pse tre të arrestuarit nuk kanë folur në sallën e gjyqit lidhur me shkaqet që i shtynë ata të qëllonin mbi uniformat e policisë, mësohet se shkaku kanë qenë armët që ata kanë pasur në makinë, më të cilat kanë qëlluar dhe mbi policinë. Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve, vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të arrestuarit. E njëjta masë, por në mungesë, u mor edhe për Alban Rexhën. Mbi katër personat e dyshuar rëndon akuza e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë”.
Ngjarja
Ngjarja në fjalë ka ndodhur më datë 29 dhjetor në një postbllok policie në kryeqytet, në zonën e Selitës. Të rinjtë që udhëtonin me një mjet tip “Benz” nuk i janë bindur thirrjes së policisë për të ndaluar, duke qëlluar më pas në ajër. Pas kësaj, policia është vënë në ndjekje të autorëve duke vënë në pranga fillimisht njërin prej tyre, ndërsa ka bllokuar mjetin me të cilin ata udhëtonin. Në makinë janë gjetur 2 armë zjarri, një pistoletë dhe një kallashnikov. Ndërsa dy të rinjtë e tjerë u arrestuan pak orë më vonë. Ngjarja e rëndë, që ndodhi vetëm dy ditë përpara Vitit të Ri, ka të përfshirë dy personazhe të njohur. I pari, Alban Rexha, njëri prej personazheve më të debatuar dhe të përfolur në njërin prej edicioneve të show-t “Kafazi i artë”, ndërsa tjetri është Enea Gega, i cili ka qenë ish-i fejuari i një këngëtareje të njohur shqiptare. Tashmë, policia e kryeqytetit është vënë në ndjekje të Rexhës, mbi të cilin rëndon akuza e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”.
Të arrestuarit
Pajtim Serjani
Shamet Mejdani
Enea Gega
I shpallur në kërkim
Alban Rexha
5 Janar 2010