E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet e pazbardhura, rikthehet në hetim vrasja e Ahmet Krasniqit

 

TIRANE – Nisma e policisë shqiptare për rihetimin dhe zbardhjen e vrasjeve të vjetra të mbetura pa autorë, duket se ka prekur edhe dosjen e ish-ministrit kosovar të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, i ekzekutuar në Tiranë në vitin 1998. Nga burime të policisë mësohet se është punuar edhe me këtë ngjarje, duke mbledhur dëshmi dhe prova të reja që janë dërguar për vlerësim në Prokurori, me qëllimin për të parë mundësinë e rihapjes së dosjes. Një ditë pasi Drejtori i Departamentit të Hetimit në policinë e Shtetit, Agron Kuliqi, deklaroi se janë pranë zbardhjes, një sërë vrasjesh dhe atentatesh ndaj biznesmenëve dhe figurave të njohura publike, burimet policore bëjnë me dije se mes këtyre dosjeve që po rihetohen dhe rivlerësohen është edhe ajo e ish-ministrit kosovar të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi. Prej kohës kur ka ndodhur ngjarja, autorët e saj mbetën të pa zbuluar ndërsa dosja kaloi një kalvar të gjatë pas përpjekjeve të dështuara për zbardhjen e saj. Disa herë policia e dërgoi atë në Prokurori për rivlerësim por më pas fashikulli është pezulluar për mungesë provash dhe është kthyer në polici për plotësim. Burimet zyrtare nuk preferuan të bëjnë publike detaje të tjera por thanë se edhe për këtë ngjarje janë gjetur prova të reja që po vlerësohen. Tri ditë më parë, në një intervistë për Tv Klan, Drejtori i Hetimit në Policinë e shtetit, tha se po rihetohen disa ngjarje të bujshme të pazbardhura, si ekzekutimi i biznesmenit të hekurit Florian Vila, vrasja e ish-presidentit të federatës së Boksit Vajdin Lamaj apo ajo e avokatit të njohur Kleanthi Koçi. Zyrtari i lartë i hetimit në policinë e shtetit pohoi më tej se policia po punonte me rezultate konkrete edhe për zbardhjen e disa vrasjeve me pagesë të ndodhura në qytetin e Korçës. Sipas policisë, provat e mbledhura janë dërguar në Prokurori për disa prej këtyre çështjeve dhe organi i akuzës po bën vlerësimin e tyre, nëse janë fakte të mjaftueshme për kapjen e të dyshuarve apo nevojiten prova shtesë. Drejtori i hetimit në polici ka konfirmuar se së shpejti autorët e disa ngjarjeve të rënda, të ndodhura vite më parë dhe të pa zbardhura, do të dalin para organeve të drejtësisë falë rihetimit të dosjeve dhe bashkëpunimit me Prokurorinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›