E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet pas sherrit biznesmeni

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Ekzekutohet ditën e Kurban Bajramit biznesmeni i ndërtimeve në Shkodër. Arben Bitani, 45 vjeç u qëllua pasditen e djeshme, pas një sherri të zhvilluar në fshatin Barbullush.
Policia e qytetit identifikoi pak orë më vonë si atentatorin e tij, 37-vjeçarin Afrim Rraboshta, vëlla i kreut të PSD-së së Shkodrës. Dhe Rraboshta njihet si biznesmen në zonë, duke bërë policinë të dyshojë për një krim pas grindjes për një çështje parash. Autori është ende në kërkim, duke e bërë të pamundur deri mbrëmë gjetjen e motiveve që shkaktuan vrasjen.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 17:00. Viktima Bitani u gjet i vrarë në makinën e tij luksoze në rrugën Barbullush–Shkodër. Dëshmitarët në vendngjarje kanë pohuar për policinë se ata kanë gjetur makinën e tij në anë të rrugës, me një derë të hapur dhe brenda 45-vjeçarin e gjakosur. Megjithëse është lajmëruar ambulanca, ardhja e saj ka qenë e kotë, pasi Bitani kishte ndërruar jetë. Ai ishte qëlluar me dy plumba në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dëshmitarët e kanë njohur shpejt se cili ishte viktima, pasi ai ishte i lindur në Barbullush, por banonte në Shkodër, ku zhvillonte dhe aktivitetin e ndërtimit. Gjithashtu, ata kanë zbuluar se personi me të cilin ai ishte grindur pak minuta para krimit ishte banori i fshatit Barbullush, Afrim Rraboshta, i cili njihej dhe si biznesmen. Sipas tyre, sherri mes Bitanit dhe Rraboshtës kishte nisur kur të dy ndodheshin në një lokal të fshatit, 20 km larg Shkodrës. Të dy kanë qenë të nxehur dhe kanë debatuar, ndonëse personat rrotull nuk kanë mundur të mësojnë se për çfarë bëhej fjalë. Pak më vonë ata janë çuar, por jo të qetë. Duket se grindja ka vazhduar derisa të dy i janë afruar makinës së Bitanit, një “Benz” Regina, me targë SH 35 77 E. Të dy janë parë të hipin në makinën e viktimës. Pasi është bërë rreth 500 metra rrugë janë dëgjuar krismat e një pistolete. Autori ka mundur të zbresë me shpejtësi nga makina, bashkë me armën e krimit. Ndërkohë, mjeti me viktimën vazhdonte të qëndronte i ndezur, madje deri në momentin kur ka arritur policia. Bitani është gjetur në vendin e shoferit, i pajetë, nga hemorragjia e madhe e pësuar nga plagët në kokë. Sipas drejtuesve të Policisë së Shkodrës është arritur që në vendngjarje të bëhet marrja e gjurmëve të gishtave, të cilat shërbyen për t’i çuar tek autori. Pas pak orësh, ai është identifikuar si Arben Rraboshta, duke u shpallur në kërkim nga ana e policisë. Të dhënat e para flasin për një mosmarrëveshje mes dy biznesmenëve, duke u hedhur dyshimet te një borxh i vjetër. Por, policia nuk ka dashur të japë të dhëna të tjera, pasi pritet që të merren në pyetje dhe të afërmit e viktimës dhe të autorit të akuzuar për të zbardhur motivet e krimit. 
Ngjarja tronditi jo vetëm fshatin Barbullush, por dhe qytetin e Shkodrës, pasi krimi ndodhi ndërsa festohej dita e Kurban Bajramit.

Policia: Krimi, nga gjaknxehtësia

Nga të dhënat e para të siguruara në vendin e krimit, pikërisht në makinën e viktimës Arben Bitani, ekspertët e policisë kanë mundur të sigurojnë një numër të madh gjurmësh të lëna nga autori. Sipas tyre, atentatori, pas vrasjes nuk është munduar të fshijë gjurmët e lëna prej tij, çka hedh dyshimin se vrasja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër dhe jo e planifikuar më parë. Po këtë variant e mbështesin dhe dëshmitë e personave, që ndodheshin pranë dy protagonistëve që po grindeshin. Ata kanë parë zhvillimin e ngjarjes, duke pohuar fillimisht ishin të qetë, por debati nisi të agravohej. Sipas dëshmitarëve okularë viktima dhe personi, që dyshohet si autori njiheshin prej kohësh. Të dy ishin  nga e njëjta zonë, si dhe të njohur për suksesin në biznes. Familja Rraboshta mësohet se menaxhonte disa lokale në fshatin Barbullush të komunës së Bushatit. Për ndalimin e 37-vjeçarit u organizua një aksion i gjerë, por deri në mbrëmje nuk u arrit gjetja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›