E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nadezhda Ataeva, dhimbja për të hequr dorë

Braktisi Uzbekistanin, sepse nuk dëshironte të jetonte në diktaturë. Sot, ajo është refugjate në Francë, ku ka krijuar një shoqatë e cila lufton për të drejtat e njeriut në Azinë Qendrore

Babai i saj, Alim Ataev, kishte takuar Presidentin uzbek, Islam Karimov, në disa raste. Karimov e kishte zgjedhur edhe si përgjegjës prodhimi të një kompleksi të madh industrial me 400 ndërmarrje dhe 44 mijë punëtorë. Por nga një ditë në tjetrën, "Alimi u bë kriminel i rrezikshëm, sepse refuzoi të falsifikonte statistikat e mbledhjes së grurit", tregon Nadezhda Ataeva.

Sot, Nadezhda është 40 vjeçe. Që prej vitit 2005, ajo jeton si refugjate politike në Le Mans, Francë, dhe lufton për respektimin e të drejtave të njeriut në Uzbekistan. Kjo luftë është bërë motivi i jetës së saj, një spastrim i nevojshëm e një detyrë kundrejt personave që nuk e kanë braktisur vendin. Nadezhda është presidente e organizatës "Të Drejtat e Njeriut në Azinë Qendrore" dhe njëkohësisht drejton gazetën "Azia Qendrore". Nadezhda është ende e lidhur shpirtërisht me Uzbekistanin, që u detyrua ta braktiste në vitin 2003. "E vështroj vendin tim si nëna që sheh të birin e sëmurë, duke shpresuar që të shërohet sa më shpejt".

Kur flet për të shkuarën, instinktivisht zëri i saj fillon të dridhet. Edhe pse ka vite që është larguar nga vendlindja, vazhdon të ketë shumë mall brenda vetes. Edhe e bija, pavarësisht se është e trembur për atë çka ndodh në Uzbekistan, e kujton shpeshherë vendin e saj dhe vitet e shkollës.

Aroma e bukës

Në Tashkent, fëmijëria e Nadezhdës mbante aromën e bukës së sapopjekur që bënte e ëma, që ishte edhe një nga furrat më të mira të qytetit. Në ish-Republikën Sovjetike, të kishe bukë ishte shenjë mirëqenieje. Ataeva kujton edhe drekat me familjen, kur shpesh gatuhej pilaf me mish. Por e shkuara e kësaj mbështetëseje të të drejtave të njeriut nuk ka qenë e lehtë. Telashet e të atit Alim filluan kur policia nisi të hetonte për të. Pas arrestimit të tij, Nadezhda kuptoi se Uzbekistani "nuk ishte një shtet i drejtë", edhe pse në zgjedhjet presidenciale ajo kishte votuar për Karimovin. "Pak nga pak, miqtë filluan të distancoheshin nga ne për arsye sigurie", tregon Nadezhda. "Vetëm uzbekët e vërtetë mund të kuptonin natyrën e vërtetë të regjimit".

Në vitin 2003, situata për familjen e saj u bë e padurueshme. Së bashku me vajzën 6 vjeçe dhe të ëmën, Nadezhda vendosi ta linte të atin në duart e regjimit dhe u largua me këmbë nga qyteti drejt Kazakistanit. Prej aty, arriti të hynte në Moskë së bashku me nënën dhe të bijën. Për shkak të rrethanave, nuk mundi të qëndronte gjatë në kryeqytetin rus: "Nuk mund të jetoja në Moskë, sepse pamja ime e tregonte qartë origjinën nga Azia Qendrore".

Për më shumë se dy vjet, Nadezhda ka jetuar si klandestine në Togliati, një qytet pranë lumit Vollga, rreth 1200 kilometra larg Moskës. Në këtë zonë, e njohur për prodhimin e makinave "Lada", ajo takoi një avokat, i cili e ndihmoi, duke i dërguar pothuajse 1500 letra protestuese diktatorit Tashkent. I shkroi edhe Meri Robinsonit, ish-komisari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, e cila e mbështeti në vendimin e saj për të luftuar kundër dhunimit të të drejtave të njeriut: "Meri Robinson iu përgjigj menjëherë letrave të mia dhe së bashku me asistenten e saj, më dha disa këshilla se si të veproja".

Në Toljati, Nadezhda njohu Valebtin Gefter, drejtori i Institutit për të Drejtat e Njeriut në Moskë: "I jam shumë mirënjohëse, sepse nuk më bëri pyetje, por u përpoq të më dëgjonte për të kuptuar të gjithë dëshpërimin tim. Tani që merrem me të drejtat e njeriut, dua të sillem njësoj si ai, duke treguar të njëjtin respekt ndaj bashkëbiseduesve të mi. Dua t‘i dëgjoj pa vënë në dyshim fjalët e tyre".

Edhe pse thoshte se e rrethonin "njerëz të mirë", Nadezhda nuk dilte kurrë në Toljati pa syze dielli. Gjatë ditës flinte, ndërsa natën qëndronte zgjuar, sepse kishte frikë që policia mund të shfaqej nga njëri çast në tjetrin. Mallëngjehet e tëra kur kujton ato çaste: "E vetmja gjë që kishte rëndësi ishte mbijetesa".

Në Uzbekistan, kur ekzistonte ende Bashkimi Sovjetik, Nadezhda e frekuentonte shkollën me korrespondencë. Më pas, punoi në shtëpinë e pionierëve dhe drejtoi një shoqatë veteranësh të Luftës së Dytë Botërore. Kështu filloi të merrej me të drejtat e njeriut, e në veçanti me personat e humbur. Në vazhdim u bë drejtuese e shoqërisë "Nzi". Gjithsesi, këto kujtime kanë shumë pak rëndësi krahasuar me të tashmen. Edhe pse Islam Karimov kërkon me të gjitha mënyrat të marrë pushtetin, "regjimi i tij po dobësohet", pohon Nadezhda dhe detyra e Shoqatës së të Drejtave të Njeriut në Azinë Qendrore është t‘i tregojë botës abuzimet që kryhen në Uzbekistan.

Mosndëshkimi shqetësues

Situata është e rëndë. Më 11 shtator, regjimi i Tashkentit duhej të kalonte provimin e vazhdueshëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Raporti përfundimtar shfaqi kushtet e këqija të jetesës në burgje, përdorimin e vazhdueshëm të torturës, shtypjen e aktivistëve të pavarur dhe kontrollin e qeverisë mbi shoqërinë civile.

Edhe organizatat e ndryshme joqeveritare shprehën shqetësimin e tyre për qëndrimin e Tashkentit. Në një dokument të kohëve të fundit, Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve ka theksuar se disa përgjegjës të masakrave të Andijanit më 13 maj të vitit 2005 nuk janë ndëshkuar ende. Shtypja e fituar nga regjimi i Karimovit kundër një grupi demonstruesish paqësorë provokoi vdekjen e qindra peronave dhe detyroi mijëra uzbekë të shpërnguleshin në qytetet më të afërta.

"Uzbekistani përdori retorikën e luftës kundër terrorizmit, si justifikim për të ndjekur të gjithë ata që i kundërvihen në mënyrë paqësore regjimit", thekson Komisioni. Dokumenti denoncon edhe përdorimin e torturës si një "praktikë e rëndësishme dhe sistematike e sistemit gjykues uzbek".

Kur u largua jashtë vendit, Nadezhda arriti të merrte me vete disa dokumente të rëndësishme. Sot, në shtëpinë e saj në Le Mans ka krijuar një arkivë me dëshmi mbi masat shtypëse të vëna në përdorim nga despoti uzbek. "Kemi marrë pothuajse 11 mijë letra, prej të cilave 5 mijë janë dërguar nga uzbekët e larguar jashtë vendit". Të mbledhë letra dhe të bëjë me dije komunitetin ndërkombëtar është "një detyrë" për të. Kjo është e vetmja mënyrë për të shtypur regjimin e islam Karimov, duke qenë se në Uzbekistan "shteti kontrollon të gjithë shoqërinë".

Biografia

Nadezhda Ataeva lindi në vitin 1968 në Tashkent, Uzbekistan. Në vitin 2003, ajo u largua nga Kazakistani dhe shkoi në Rusi. Për dy vjet, jetoi si klandestine në Toljati, Vollgë. Në vitin 2005, u pranua si refugjate politike në Le Mans, Francë, ku krijoi edhe "Shoqatën e të Drejtave të Njeriut në Azinë Qendrore" dhe drejton gazetën "Azia Qendrore"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›