Vjenë, zbulohet grupi ndërkombëtar i heroinës
Një grup i madh kriminal ndërkombëtar, midis të cilëve edhe 14 veta nga Maqedonia, që zotëronte narkotregun në Vjenë të Austrisë, u zbulua dhe u arrestua ditët e fundit, gjatë operacionit "Veles", të ndërmarrë nga policia austriake në bashkëpunim me policinë maqedonase, njoftoi Ministria e Brendshme e Austrisë. Sipas hetimeve të para, ky grup, në të cilin krahas maqedonasve, bënin pjesë boshnjakë, hungarezë, kroatë, austriakë, turq, polakë etj., organizonte sjelljen e heroinës në Austri. Grupi i rekrutonte nga Maqedonia dhe ish-vendet e tjera të Jugosllavisë së dikurshme "mafiozët" e rinj, që e shisnin drogën në parqet e Vjenës. Vlera e drogës së kontrabanduar dhe të shitur nga ky grup kriminal llogaritet në rreth 1.5 milionë euro, njoftoi policia austriake, sipas së cilës operacioni "Veles" ishte përgatitur prej disa muajsh, ku ishin përgjuar pjesëtarët e grupit kriminal në fjalë dhe ishin kontrolluar një sërë objektesh që kishin lidhje me ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës. Hetimet kanë treguar se, që nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, në Austri janë futur dhe janë shitur 30 kg heroinë me një çmim që varionte nga 40-50 euro për gram. Deri tani, policia austriake ka arrestuar në Vjenë dhe në landin e Austrisë së Poshtme 16 konsumatorë të heroinës dhe 12 të tjerë që e kishin blerë atë nga grupi i mësipërm kriminal, por këta të fundit nuk e përdornin atë për vete, por e rishisnin me qëllim fitimi. Vlera e lartë e fitimeve që siguroheshin dhe numri në rritje i blerësve të saj në Vjenë shpjegohet nga policia austriake me faktin se grupi kriminal "lëshonte në qarkullim" heroinë të cilësisë së lartë, ndërkohë që çmimi, relativisht nuk ishte shumë i lartë.