E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një vulë epikrize i kërkon tridhjetë mijë lekë

Për një vulë në epikrizë, mjekja i kërkon tremijë lekë. Kjo është historia e Dile Islamit nga Kurbini, e cila denoncoi dje në emisionin "Fiks Fare", mjeken e spitalit nr. 2, në qendrën spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë, Vigjilenca Demirin.

Kjo mjeke do t‘i vinte vetëm një vulë në epikrizën e pacientit, i cili mes shumë sëmundjesh, të tjera vuan edhe nga ceroza. Kjo epikrizë, pacientit i duhej për ta dërguar në Itali, ku do të kurohet. Pacienti është invalid i kategorisë së parë dhe, si i tillë, përfiton shumë shërbime falas në spital, ku edhe ka qenë i shtruar disa herë. Ndërkohë që mjekja i kërkon lekë.

Në një intervistë, dhënë për emisionin "Fiks Fare", znj Dile Islami i bën thirrje qeverisë që të shohë korrupsionin në shëndetësi, pasi pensioni i invaliditetit që merr për të shoqin nuk i del as për të ushqyer dy fëmijët e vegjël e jo më të paguajë mjeken. Qytetarja, pas denoncimit në "Fiks Fare", u nis drejt spitalit, ku takoi mjeken Vigjilenca Demiri.

Fillimisht, qytetarja i kërkoi mjekes ta vizitonte atë vetë. Ajo i tha se i kushton vizita një mijë lekë. "Në fakt, shteti e ka caktuar 2000 lekë, - i thotë mjekja,- por unë po të marr një mijë lekë, sepse 960 bën vetëm ekoja" (nuk i bën eko, e viziton me dorë, nuk i jep faturë). Pastaj, qytetarja e pyet se sa duhet t‘i japë për epikrizën e burrit që duhet t‘ia vulosë po kjo mjeke. Pasi merr përpara fletën e epikrizës dhe fillon ta firmosë e më pas t‘i vendosë vulën, mjekja Demiri i thotë qytetares t‘i japë 2000 lekë, duke i bërë një skonto prej një mijë lekësh. Kur qytetarja e pyet pse nuk i bëhen falas këto shërbime, përderisa burrin e ka invalid të kategorisë së parë, mjekja i përgjigjet se me këto çmime punojnë të gjithë, janë tarifa që i ka vendosur qeveria. Ndërkohë që nuk i jep asnjë faturë për vulën që i vë në epikrizë, edhe pse i merr dy mijë lekë.

Biseda

Qytetarja: Dua të bëj një vizitë për vete doktoreshë, kam një dhimbje.

Doktoresha: Çfarë dhimbjesh?

Qytetarja: Kam therje të barkut, kam një dhimbje te pjesa... këtu. Më tha burri im: Shumë të ka kërkuar (doktoresha për vulën e epikrizës).

Doktoresha: Si?

Qytetarja: Shumë të ka kërkuar...

Doktoresha: Pyet të tjerat sa e bëjnë dhe...

Qytetarja: Sa të detyrohem? Sa bën një vizitë? Unë jam... Doktoresha: 1000 lekë do të marr unë ty, 2000 lekë është fatura. Vetëm ekoja është 1000 lekë, 960 lekë...

Qytetarja: Po për këto letrat (vulën e epikrizës)?

Doktoresha: Sa të duash ti mi, se nuk do bëjmë...

Qytetarja: Aq sa më ke kërkuar dje?

Doktoresha: 2000 lekë, lëre dhjetëshen...

Qytetarja: Faleminderit! I thashë tim shoqi që më ka kërkuar 3000 lekë Vigjilenca. Ou, tha, po ajo më thoshte bosi i spitalit, si të kërkoi 3000 lekë për mua!

Doktoresha: Shih, shih! Shko aty, pyet kolegët sa e ka vënë, sa e ka qeveria.

Qytetarja: 3000 (lekë)?

Doktoresha: 3000 (lekë), prandaj po them. 2000 është vetëm vizita e shtetit. Kanë bërë dhe epikrizat. Jashtë i bëjnë shtrenjtë.

Qytetarja: Epikriza 3000?

Doktoresha: Po.

Qytetarja: Kur doli invalid, unë thashë se t‘i pagova, thashë do ma mbash në çmimin që të kam dhënë... S‘paguan lekë fare ai apo...?

Doktoresha: Nuk paguan, të tjerët paguajnë 2000.

Qytetarja: 2000 (lekë)!

Doktoresha: 2000 (lekë) dhe shteti nuk na jep as një 100 lekësh. Mendo ti tani...!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›