E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia e kërkon vetë sherrin?

Të paktën kështu mund të konsiderohet kur mëson për vendimin e fundit të qeverisë maqedonase, sipas të cilit një rruge që, deri tani është quajtur "Korridori 10", t‘i vihet emri "Aleksandri i Madh", ndërsa stadiumi i qytetit të Shkupit të quhet "Arena Filipi II", vendim që, me siguri, do të shkaktojë një irritim të ri të Greqisë dhe do t‘i acarojë edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, që edhe kështu janë të këqija. Ata që mbulojnë Maqedoninë në institucionet evropiane janë të mendimit se, sigurisht, është e drejta e qeverisë maqedonase të vendosë lidhur me çështjen e emërtimeve brenda vendit të saj, por, sidoqoftë, ata e konsiderojnë këtë vendim të qeverisë maqedonase si jo taktik dhe kundërproduktiv.

Erik Majer, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, vuri në dukje ditët e fundit, lidhur me vendimin e lartpërmendur të qeverisë maqedonase, se "nuk mendoj se ky vendim ishte taktik në këtë kohë, pasi ai do të provokojë të njëjta probleme që u krijuan, kur autoritetet e larta të Shkupit i dhanë emrin e Aleksandrit të Madh të vetmit aeroport ndërkombëtar të Shkupit në Petrovac". Sipas tij, nuk do shumë mend për ta kuptuar se një veprim i tillë i Maqedonisë do të konsiderohet në Athinë si një provokacion dhe se ai (vendimi) do të ketë një efekt kundërproduktiv. Për më tepër, konsideron Majer, vendimi i fundit maqedonas për riemërtimet nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do t‘i shërbejë Athinës si një argument i ri suplementar që ajo të vendosë veto në procesin e integrimit të Maqedonisë në BE, kur ai, në kohën e caktuar, të vihet në rendin e ditës në Bruksel. Në raportin e fundit që europarlamentari i ngarkuar për Maqedoninë, Erik Majer, përgatiti për këtë vend dhjetorin e kaluar për Komisionin Evropian, ai theksonte se ajo (Maqedonia) duhej të frenohej nga ndërmarrja e hapave provokuese, gjë së cilës në Samitin e fundit të BE-së, madje, iu shtua edhe se nuk duhej të bëheshin as deklarata provokuese dhe jo më të ndërmerreshin veprime të tilla provokuese, sikurse mund të konsiderohet i tillë vendimi i fundit i qeverisë maqedonase.

Vendimi në fjalë i qeverisë maqedonase la pa gojë edhe europarlamentarin tjetër që mbulon Maqedoninë, Jelko Kacin, që vuri në dukje se nuk do të donte t‘i bënte komente një vendimi të tillë, ndërkohë që theksoi se, me të vërtetë, ishte habitur nga ky vendim, pasi në takimin e fundit që ai kishte pasur me zv/kryeministrin maqedonas, Ivica Bocevski, ky i fundit nuk ia kishte përmendur një gjë të tillë. "Për mua, ky vendim është diçka krejtësisht e re dhe nuk mund ta kuptoj e ta analizoj në mënyrë racionale se përse, pikërisht në këtë kohë duhet të merren vendime të tilla. Duke qenë mik i Maqedonisë publikisht do të hesht, por ama nga z. Bocevski do të kërkoj shpjegime", tha ai.

Duhet të theksohet se në Bruksel, deri tani, nuk ka pasur reagime, por kjo shpjegohet edhe me faktin e mungesës së Greqisë, për shkak të angazhimeve të mëdha që ka brenda vetë vendit (Greqisë), ndërkohë që edhe vetë BE-ja, momentalisht, ka preokupime shumë më serioze, sikurse janë të tilla kriza e gazit dhe Traktati i Lisbonës.

Vëzhgimi

Maqedonasit në Shqipëri?

Më shumë se të respektuar

Në opinionin publik të Maqedonisë mbizotëron mendimi se të drejtat e pakicave maqedonase në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Greqi dhe Bullgari, që janë të detyruara t‘i respektojnë këto të drejta jo vetëm se kanë nënshkruar konventat ndërkombëtare përkatëse për pakicat, por edhe sepse respektimi i tyre është midis kritereve të BE-së, nuk respektohen dhe nëpërkëmben. Në Maqedoni, ndërkohë, vihet në dukje, pak a shumë, me habi se ndryshe qëndron puna me pozitën e pakicës maqedonase në Shqipëri, e cila, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, në përgjithësi, i respekton të drejtat e pakicës në fjalë. Kështu, në median maqedonase, me rastin e datës jubilare të 60-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, që u përkujtua kohët e fundit, theksohet se, në mënyrë paradoksale, më të kënaqurit me pozitën e tyre janë maqedonasit që jetojnë në Shqipëri, e cila, sikurse thamë më lart, nuk është ende anëtare e BE-së. "Kjo tregon hipokrizinë e disa vendeve evropiane, që vetëm me deklarata shprehen në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe është fakt se këto vende ‘mbyllin sytë‘ kur bëhet fjalë për gjendjen e pakicave maqedonase në Greqi dhe Bullgari", i tha kohët e fundit gazetës së përditshme maqedonase "Dnevnik" një ekspert në fushën e të drejtave të njeriut.

Në një akademi solemne, të zhvilluar në Shkup me rastin e 60-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të lartpërmendur të OKB-së, përfaqësuesi i maqedonasve që jetojnë në Greqi, Hristos Sidheropullos, pasi falënderoi qeverinë maqedonase për mbështetjen që ajo u jep pakicave maqedonase në Greqi dhe në vende të tjera, ku ka të tilla, vuri në dukje se "neve jo vetëm që nuk na njohin, por duan edhe të na zhdukin. Ne edhe mund të jemi të varfër, por ama kemi dinjitetin tonë. Nuk do ta harrojmë kurrë të kaluarën tonë, as të tanishmen dhe do të dimë ta ndërtojmë të ardhmen tonë, por këtë rrugë, edhe pse e vështirë, duhet ta bëjmë të gjithë së bashku", tha ai. Profesori universitar dhe polititologu veteran i njohur maqedonas, Vasili Tupurkovski, kritikave se qeveria maqedonase nuk ka gjetur kohën e duhur që të shprehet në mbështetje të pakicave maqedonase në Greqi dhe në vendet e tjera, midis të tjerave theksoi se "nuk ka asnjëherë kohë të keqe për ngritjen e çështjes, kur bëhet fjalë për padrejtësi historike dhe interesat e të drejtat e njeriut. Kurse Avokati i Popullit të Maqedonisë, Ixhet Memeti, nga ana e tij vuri në dukje, me këtë rast, se "vendet anëtare të OKB-së ranë dakord ta shpallin Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut si një standard të përgjithshëm që duhet ta pranojnë dhe ta arrijnë të gjithë njerëzit dhe kombet. Por, për fat të keq, përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim, megjithëse kanë sjellë një progres në mirëkuptimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, nuk kanë arritur t‘i çrrënjosin tërësisht luftërat, dhunën, varfërinë dhe një sërë cenimesh serioze të tjera të të drejtave të njeriut", tha ai.

Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, nga ana e tij, vuri në dukje, më rastin e 60-vjetorit të Deklaratës së Universale për të Drejtat e Njeriut, se kjo deklaratë është shumë më tepër se sa një listë ku përmenden të drejtat e njeriut. Ajo, tha ai, është një "apel për aksion".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›