"Dosjet" në Kushtetuese, PS shkruan ankimimin
Partia Socialiste ka përfunduar së hartuari dokumentin me të cilin do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese "Ligjin për pastërtinë e figurave dhe zyrtarëve të lartë". Burimet nga selia rozë sqarojnë se sot fillon të konkretizohet gjithçka, duke marrë nënshkrimet e nevojshme të deputetëve. Pas këtij momenti, ankimimi do të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese, duke pritur datën e shqyrtimit. Në mbështetje të ligjit duhet që Gjykata Kushtetuese të vihet në lëvizje me kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ligji i "dosjeve" hyri në fuqi para disa ditësh, pasi kreu i shtetit "abstenoi". Bamir Topi konsumoi të gjithë afatin e përcaktuar ligjor dhe nuk preferoi të vendoste një firmë miratuese, apo kundërshtuese të ligjit në fjalë. Kreu i shtetit zgjodhi në këtë mënyrë një prej tri mënyrave që ia lejon Kushtetuta, çka paralelisht mund të cilësohet si një mosmiratim. Kohët e fundit, ky ligj u shndërrua në objekt përplasjesh mes funksionarëve të mazhorancës dhe kreut të shtetit. Shumica zgjodhi t‘i bënte presion ish-kreut të grupit parlamentar demokrat që të firmoste dekretin për këtë ligj. Nga ana tjetër ekzistonte edhe presioni i partive të opozitës, të cilat njëzëri nuk preferuan ta votojnë ligjin dhe u deklaruan kundër që në seancë. Element tjetër jo pak i rëndësishëm ishte kontestimi i bërë publikisht nga faktori ndërkombëtar i akredituar në Tiranë, por dhe jashtë vendit. Ata e cilësuan si jo në përputhje me Kushtetutën projektin e votuar nga qeveria dhe një kërcënim permanent për institucionet e pavarura. Gjatë debatit politik për këtë çështje, partitë e opozitës deklaruan gjithashtu se me këtë ligj kërkohet të largohen nga detyra disa prokurorë që po hetojnë ato çka janë cilësuar "afera" të qeverisë. Në këtë kategori futen prokurorët që po investigojnë abuzimet e dyshuara në rrugën Durrës-Kukës, çështjen "Fazliç", apo trafikun e armëve dhe tragjedinë e Gërdecit. Përveç drejtuesve të Partisë Socialiste, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe funksionarët e lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ankimimi në Kushtetuese mbase do të shënojë edhe një rast uniteti në qëndrime, pas shumë muajve polemika dhe konfliktualiteti.