Meta: Do t‘u japim fund monopoleve
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me qindra të rinj në qytetin e Beratit. Meta garantoi se LSI do të ofrojë një mundësi dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për një pakicë të lidhur me monopolet. "Jeni ju të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti që po sillni kaq shumë shpresë për të gjithë, ndaj është një përgjegjësi për mua dhe për gjithë drejtuesit e LSI-së, kur shohim gjithë këtë mbështetje këtu dhe në të gjithë Shqipërinë nga LRI-ja, të cilët për 28 qershorin i kanë investuar të gjitha shpresat dhe ëndrrat e tyre pikërisht në fitoren e Lëvizjes Socialiste për Integrim", u shpreh Meta. Ndaj, vijoi ai, unë dua t‘ju them me bindje të plotë që 28 qershori që po vjen është dita juaj në radhë të parë, është dita e të gjithë shqiptarëve të zhgënjyer në mënyrë të pandershme dhe mizore nga dy partitë e vjetra. "Që kanë frikë pas 18 vjetësh nga vota e lirë e shqiptarëve, kanë frikë nga ëndrrat tuaja për një jetë të mirë dhe të bukur", tha Meta. Duke vazhduar më tej ai tha se, këto parti jo vetëm që nuk u kanë dhënë zgjidhje problemeve më të mëdha të vendit, por që ende sot prindërit tuaj flenë me ankth dhe me frikë se ku do gjejnë para për të blerë librat për fëmijët e tyre, ku do i gjejnë paratë për të përballuar shkollën, studimet, për të përballuar një jetë më të mirë për ju dhe të ardhmen tuaj. "Kjo është një padrejtësi e madhe. Ndërkohë që një pjesë e mirë e atyre që janë lidhur me qeveritarët dhe me ata që drejtojnë, jo vetëm kontrollojnë të mirat ekonomike dhe materiale në këtë vend, por që nuk duan t‘ia dinë fare për varfërinë që rritet për shumicën e familjeve shqiptare", konstatoi Meta. Ne do i themi jo kësaj padrejtësie mizore politike dhe sociale, garantoi Meta, duke shtuar se, ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga monopolet e Sali Berishës apo të kujtdo tjetër. "Sepse ky duhet të jetë një vend që ofron mundësi për mirëqenie dhe mundësi për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për një pakicë që është e lidhur dhe mbrohet nga Sali Berisha", nënvizoi Meta.