E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dosjet, në sitë nga Presidenti deri te zyrtari më i ulët”

 

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, nuk e bën shumë alarmant konfliktin e maxhorancës me Presidentin. Sipas tij, edhe pse zgjidhja nuk po vjen si e dëshiron maxhoranca, përsëri duket dritë në fund të tunelit. Patozi ka folur edhe për ligjin e hapjes së dosjeve, duke shprehur një lloj sigurie se kjo çështje do të marrë një zgjidhje tani pas 17 vitesh debat që hapet herë pas here. Nënkryetari i PD-së shprehet hapur në favor të opsionit të ndryshimeve në Qeveri, por për kohën ai ia lë në dorë Kryeministrit Berisha.
Z. Patozi, këto ditë po konsumohet një debat në distancë mes maxhorancës parlamentare dhe Presidentit të Republikës dhe shkak janë bërë emërimet në Gjykatën e Lartë. Ju i rrëzuat 5 kandidaturat e para të Presidentit me argumentin se Presidenti kishte anashkaluar procedurat në dekretimin e tyre dhe për pasojë, nuk kishte pasur transparencë. Si e vlerësoni momentin e tanishëm, kur Presidenti ka ngritur një grup pune me juristë të njohur dhe ka shpallur publikisht CV-të e 105 kandidatëve?
Mendoj se jemi në një situatë të re dhe shumë të ndryshme nga ajo e pak javëve më parë, pavarësisht se unë mund të kem rezervat e mia për mënyrën se si po kërkohet zgjidhja. Por e rëndësishme është që të dy institucionet që marrin vendimin në përzgjedhjen dhe miratimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, kanë ridimensionuar pozicionet e tyre të mëparshme, në frymën e kapërcimit dhe të mospërsëritjes së krizave në të ardhmen.
Mendoj se transparenca është një dimension thelbësor në një proces seleksionimi, sepse bëhet fjalë për një institucion kushtetues, me një peshë tepër të madhe në sistemin tonë gjyqësor. Në këtë kontekst, unë përshëndes të gjithë hapat e ndërmarrë si nga institucioni i Presidencës, ashtu dhe nga Kuvendi i Shqipërisë në funksion të këtij qëllimi.
Ne të gjithë konstatuam një vakum ligjor dhe një mungesë procedurale në Rregulloren e Kuvendit pas këtij debati dhe maturia e një shteti që funksion është të dijë të mbushë hendeqet që mund të krijojnë probleme mes institucioneve. Dhe ne pikërisht këtë po bëjmë. Gjatë trajtimit të këtij rasti ne pamë se Presidenti nuk e kishte të përcaktuar kohën se kur i sillte dekretet në Kuvend, pavarësisht skadimit të mandatit të gjyqtarëve të lartë, po aq sa kryetari i Kuvendit nuk e kishte të detyrueshme kohën që ia përcillte dekretet Komisionit të Ligjeve. Vetëm këto 2 detaje do të mjaftonin që ne t'i hynim një rishikimi rrënjësor të të gjithë praktikës së emërimit të anëtarëve të institucioneve kushtetuese, por sigurisht që paragjykimet apo taktikat e opozitës nuk e bëjnë gjithmonë të mundur një ndërmarrje të tillë.
Presidenti ka bërë të qartë se nuk do të pranojë konsultime për emra me partitë parlamentare, por ka marrë parasysh vetëm disa nga kriteret që PD-ja dhe partitë e tjera i paraqitën atij. A do të kemi të njëjtin rezultat si me dekretet e para nëse Presidenti me gjasë do të dërgojë në Kuvend 5 dekrete të tjera të pakonsultuara më parë me maxhorancën? Ambasadori amerikan në Tiranë, Withers, e quajti të padenjë votimin e Kuvendit kundër dekreteve. A do ta marrë përsipër një kosto të dytë kjo maxhorancë që të rrëzojë përsëri dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë?
Unë nuk di që Presidenti Topi të jetë shprehur në mënyrë eksplicite kundër konsultimeve paraprake me partitë parlamentare për kandidatët për Gjykatën e Lartë, por dhe në rast se kjo do të rezultojë e vërtetë, mbetet një zgjedhje e tij, të cilën nuk ka shumë vlerë ta komentojmë. Ne nuk kemi dashur dhe kërkuar për asnjë çast të ndërhyjmë në të drejtat dhe atributet që Presidentit ia jep Kushtetuta dhe ligjet e tjera të vendit. Dhe vijojmë t'i përmbahemi këtij qëndrimi. Ndërkohë, unë nuk mund të mos e them se një zakon i mirë kushtetues i vendosur dhe i konsoliduar në këto 17 vjet, nuk do të ishte mirë që ta flaknim pa asnjë arsye të qenësishme. Këtë bindje, jo vetëm timen, unë e kam shprehur edhe gjatë takimit me Presidentin e Republikës kur isha së bashku me zotin Bano në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Ne, sigurisht do të donim që të gjitha kriteret e paraqitura prej nesh të merreshin parasysh, aq më tepër kur disa prej tyre përputheshin pikë për pikë me draftin e projektligjit për hapjen e dosjeve të nënshkruara prej vetë zotit Topi në vitin 2006. Por, pavarësisht se jemi forca më e madhe dhe më me peshë në Parlament, ne nuk mendojmë se vetëm Partia Demokratike ka të drejtën dhe detyrimin për të përcaktuar parametrat dhe standardet që duhet të plotësojnë gjyqtarët e lartë apo funksionarë të tjerë të lartë të sistemit gjyqësor. Në këtë pikëpamje, ne sigurisht respektojmë edhe sugjerimet e forcave dhe faktorëve të tjerë politikë, të cilat i konsiderojmë si pjesë e qenësishme e vendimmarrjes për atë që konsiderohet "pëlqim".
Por sido që të ndodhë, unë mendoj se tashmë procesi ka hyrë në një udhë tjetër dhe Kuvendi i Shqipërisë, pas ndryshimeve të pritshme në Rregulloren e tij, ka disa mundësi më shumë për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetues për shqyrtimin në meritë dhe në substancë të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Ndërkohë edhe pozicioni i Presidentit të Republikës, pas ngritjes së grupit këshillimor, është më i mbrojtur, sepse të paktën publiku është më i informuar përsa i përket arsyeve se përse në finale u zgjodhën disa kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, në vend të disa pretendentëve të tjerë.
Sigurisht unë nuk marr përsipër të analizoj komentet e ambasadorit Withers për atë që ndodhi në Parlament, por gjykoj se maxhoranca është më e interesuar se kushdo tjetër që të mos ketë as kriza ndërinstitucionale dhe as ngërçe apo vakume në funksionimin e institucioneve kushtetuese. Në këtë kontekst, Partia Demokratike në veçanti, ka prirjen absolute për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe sa më të mirë të kësaj çështjeje. Sa për termin "i padenjë", unë vazhdoj të besoj se është një gabim apo lapsus përkthimi, sepse vendimet e sovranit, cilat do që të jenë, të pëlqejnë apo nuk të pëlqejnë, negative apo pozitive qofshin, nuk mund të etiketohen me përkufizime pezhorative dhe emocionale.
Dhe kjo vlen sidomos për ato vende udhërrëfyese të standardeve dhe të parimeve të demokracisë në botë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Z. Patozi, marrëdhëniet e ftohta mes krerëve të maxhorancës parlamentare dhe Presidentit tashmë janë të dukshme dhe kjo u vu re edhe në përplasjen mes Topit dhe Kryetares së Kuvendit në një aktivitet të ish-të përndjekurve. Ekziston një ide, sipas së cilës, kjo maxhorancë është në konflikt me gjithë krerët e institucioneve që prodhon vetë. Analistë të ndryshëm thonë se këto përplasje vijnë nga oreksi i kësaj maxhorance për të shtrirë pushtetin e vet tek institucionet e pavarura. Ju si do t'i përgjigjeshit këtyre akuzave?
Unë besoj se kjo është më shumë çështje e perceptimit mediatik, sesa një panoramë që i përgjigjet asaj që ndodh realisht. Për fat të keq, në Shqipëri bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mes institucioneve kuptohet thjesht dhe vetëm si marrëdhënie personale e përfaqësuesve apo drejtuesve më të lartë të tyre. Ky është një keqkuptim i madh, që duhet ta kapërcejmë. Që shteti të funksionojë normalisht, nuk është e domosdoshme që titullarët më të lartë të tij të përqafohen apo t'i buzëqeshin njëri-tjetrit sa herë që afrohen kamerat apo fotoreporterët. Unë mendoj se nuk ka asnjë rëndësi fakti sesa u shkon muhabeti me njëri-tjetrin dy udhëheqësve të lartë, por është deçizive për mirëfunksionimin e shtetit respekti që ata kanë për Kushtetutën, ligjin dhe për detyrimet që ata vetë kanë ndaj qytetarëve në detyrat e larta që u janë besuar.
Ndërkohë, unë kam një optikë krejt të ndryshme me atë të atyre syve që duan të shikojnë "bij plëngprishës" të Partisë Demokratike, pas çdo rasti konflikti apo debati institucional të këtyre kohëve. Dua të sqaroj se kur kemi votuar Bamir Topin për president, nuk kemi menduar që të okupojmë karrigen e kreut të shtetit me nënkryetarin e Partisë Demokratike. Në asnjë mënyrë jo. Dhe ky princip ka qenë i vlefshëm për të gjithë ata zyrtarë të lartë që janë ngjitur në majat më të larta të institucioneve tona, me propozimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Në ndryshim me paraardhësit tanë, ne nuk kemi pasur për qëllim pushtimin e institucioneve sipas devizës leniniste "I gjithë pushteti sovjetëve". Por unë nuk mund ta fsheh që synimi ynë ka qenë balancimi i këtyre institucioneve, mision ky që për shumë arsye mbetet ende larg përmbushjes së tij, por për këtë nuk është se kemi ndonjë peng të madh.
Gjatë këtyre 3 vjetëve ne nuk menduam për asnjë moment që t'i mbushin gjykatat, prokurorinë, institucionet e tjera të pavarura me ish-ministrat, ish-deputetë dhe militantë apo fanatikë të Partisë Demokratike, siç bënë të majtët gjatë 8 vjetëve të pushtetit të tyre. Në ndryshim thelbësor me ta, ne propozuam dhe votuam në Parlament dhe kudo gjetkë njerëz me vlera dhe kontribute profesionale që nuk e kishin parë kurrë përveçse në TV, oborrin e Partisë Demokratike. Dhe kjo është tërësisht e faktueshme. Ndaj edhe është shumë e lehtë për t'iu përgjigjur këtyre akuzave për gjoja oreks të madh të maxhorancës për pushtet, që nuk është gjë tjetër veçse një taktikë e opozitës për të ruajtur domenet e veta ende të pacenuara, jo vetëm në sistemin e drejtësisë, që për fat të keq gjen reflektimin e vet edhe tek një pjesë e medias.    
Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e disa projektligjeve për hapjen e dosjeve. Eshtë kjo një retorikë e radhës apo maxhoranca është e vendosur të miratojë një ligj të tillë dhe çfarë synohet konkretisht? Opozita ju akuzon se ky debat është iniciuar nga ju si shantazh ndaj Presidentit. Si është e vërteta dhe a do të kemi një ligj për hapjen e dosjeve brenda korrikut?
Çështja e hapjes së dosjeve është një temë shumë sensitive për politikën, por sidomos për shtypin, dhe ne shpresojmë që me këtë rast ta mbyllim një herë e përgjithmonë këtë kapitull të shëmtuar të historisë sonë, që mban ende pezull ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare, ndonëse kanë kaluar 17 vjet që nga shembja e diktaturës. Nuk është aspak retorikë, por është vullnet i qartë për t'i hequr vendit një zgjedhë, për t'i shkuar deri në fund pastrimit të politikës dhe të institucioneve të rëndësishme vendimmarrëses të vendit nga individë me një të kaluar të errët gjatë viteve të regjimit totalitar të Enver Hoxhës.
Por në ndryshim themelor me draftin e Partisë Socialiste, i cili ka për subjekt të kontrollit dhe verifikimit vetëm ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, projektligji i grupit parlamentar të Partisë Demokratike përveç tyre parashikon kufizime të rrepta, sidomos për ata që krijuan, inspiruan dhe mbajtën në këmbë atë makinë të egër shtypjeje dhe persekutimi që u shkaktoi kaq shumë gjak, vuajtje dhe lot mijëra e mijëra shqiptarëve në gati 50 vjet, që nga byroja politike e deri tek operativët me kostume doku në provincat e largëta të Shqipërisë.
Partia Demokratike nuk ka asnjë kompleks nga tema e hapjes së dosjeve dhe është e vendosur që ky proces të zhvillohet sa më shpejt dhe në mënyrën më transparente të mundshme dhe në sitën e verifikimit të përfshihen të gjithë pa përjashtim, që nga kreu i shtetit, e deri tek niveli më i ulët në administratë, që do të vendoset nga ligjvënësi... Personalisht gjykoj se ky duhet të ishte një proces i mbyllur tashmë, por për fat të keq ai u ndërpre nga zhvillimet e papritura të vitit 1997, pasi ligji i vitit 1995 nuk arriti që të aplikohej plotësisht, që të mos i riktheheshim më kësaj historie. Por gjithsesi jemi sërish në kohë, edhe po të shikojmë përvojën e vendeve të tjera të ish-kampit socialist, që e kanë zgjidhur në kohë të ndryshme dhe në mënyrë të ndershme këtë problem të mprehtë.
Miratimi i këtij ligji në Parlament do të kishte dhe një vlerë tjetër, përveç atyre që përmenda më lart. Do t'i mbyllte një herë e mirë derën e abuzimit çdo rrufjani politik, çdo sharlatani dhe çdo hiene që ushqehet me coftirat e politikës në këto vite, të cilët sa herë hapet kjo temë i lejojnë vetes të shpifin dhe të trillojnë çfarë t'u teket për kundërshtarët e vet. Do të ishte e udhës që ligji të parashikonte sanksione tepër të ashpra për të gjithë ata politikanë, gazetarë apo individë të tjerë që i lejojnë vetes të sajojnë dosje apo pseudonime për kolegë apo zyrtarë të lartë të vendit, kur komisioni shtetëror i ngritur për këtë qëllim vërteton pastërtinë e tyre.  
Sa për akuzat e opozitës, ato janë më shumë se qesharake, por tek e fundit opozita është në të drejtën e saj që t'i zgjedhë vetë taktikat politike, në varësi të interesave të saj të çastit apo të synimeve të veta më afatgjata. Ne nuk mund të përdorim kundër Presidentit të Republikës një projektligj që mban firmën e atij vetë, kur ishte kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Do të mjaftonte vetëm ky argument, që gjithçka është thënë deri sot për gjoja intensione politike të maxhorancës për këtë çështje të hidhen poshtë me neveri. 
Ka mjaft zëra nga maxhoranca, sipas të cilëve, Partia Demokratike duhet të shkojë me një qeveri më përfaqësuese në zgjedhjet e vitit 2009. A jeni ju i këtij mendimi dhe kur mendoni se është e përshtatshme të bëhen ndryshime në Qeveri?
Unë hyj tek njerëzit që nuk besoj në "mrekullinë" apo në "çudibërjen" e vetëm ndërrimit të disa emrave në qeveri apo kudo tjetër ku punohet në ekip. Besoj më shumë tek një vizion i ri, tek një motivim më i madh dhe te rivitalizimi i të gjitha kapaciteteve në dispozicion që mund të sjellin një cilësi të re qeverisjeje. Megjithatë, ne jemi në një pikë kur edhe ndryshimi i disa fytyrave, edhe zëvendësimi i disa "kuajve të lodhur", mund të sjellë një rifreskim të energjive që i duhen një kabineti apo një koalicioni qeverisës për të shkuar i qetë në zgjedhje. E rëndësishme është të thuhet se PD-ja dhe maxhoranca në përgjithësi ka shumë kapacitete ende të pashfrytëzuara, të cilat në çdo çast mund të shërbejnë për t'i dhënë ritëm tjetër qeverisjes së vendit në të gjithë dimensionet e veta. Natyrisht, është ekskluzivitet i kryeministrit të vendosë se kur është koha më e përshtatshme për të ndërhyrë dhe cilat do të jenë zonat e nxehta dhe të pashërueshme që kanë nevojë për "bisturinë e kirurgut". Unë bie dakord që ne na duhet një qeveri më përfaqësuese në të gjithë kuptimin e kësaj fjale, aq më tepër kur në kabinet mungon zëvendësi i Berishës dhe nuk janë të përfaqësuar ende aleatët tanë më të mëdhenj, republikanët.
Intervistoi: Robert Rakipllari

PS-PD: Kuvendi kthen dekretet

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë miratuar ndryshimet e rregullores dje në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve të Kuvendit.

Aristir Lumezi

Pika më e nxehtë e diskutimeve kishte të bënte me dekretet e Presidentit për anëtarë të institucioneve kushtetuese. Meqenëse kriteret për këta anëtarë janë kompetencë e vetë presidentit, deputetët e të dy krahëve vendosën që sa herë që do vërejnë mospërputhje me këto kritere për kandidatët e përzgjedhur, do të jetë kryetari i Kuvendit ai që do të çojë relacionin e Komisionit të Ligjeve institucionit propozues. Pas këtij veprimi, Kuvendi do të presë reagimin e institucionit që ka propozuar dhe nëse një reagim i tillë nuk vjen, atëherë do të jetë seanca plenare e Kuvendit që do të vendosë për kandidatin. 
Një nga anëtarët e Këshillit, Neritan Ceka u shpreh dje pas mbledhjes se "çështja më e diskutueshme ishte mënyra se si do të procedojë Kuvendi në rastet e propozimeve që vijnë nga Këshilli i Ministrave, nga Presidenti ose nga KLD dhe gjetëm zgjidhjen, që siguron integritetin ligjor të kandidatëve dhe nuk krijon konflikte. "Kur komisioni konstaton që kandidati nuk i plotëson kushtet ligjore kjo kompetencë i kalon kryetarit të Kuvendit për ta diskutuar me institucionet propozues, para se të kalojë në seancë plenare", sqaroi Ceka. Ndërsa deputeti socialist, Besnik Dervishi, u shpreh dje se Këshilli i Rregullores përcaktoi qartë tre rastet e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve kushtetuese dhe ato të caktuara me ligj. Sipas tij, nuk ka asnjë moskuptim për rastet kur anëtarët e këtyre institucioneve i propozon ekzekutivi dhe i emëron Kuvendi, siç është rasti i enteve rregullatorë që propozohen nga Këshilli i Ministrave, Enti Rregullator i Energjisë, i Telekomunikacioneve, Ujit etj. Gjithashtu, është përcaktuar qartë edhe rasti kur është kompetencë e Kuvendit si propozimi ashtu dhe emërimi i tyre, siç është rasti i anëtarëve të KLD-së". Këshilli i Rregullores në këtë frymë, ka vendosur që për çdo kandidaturë që vjen në Kuvend do të zhvillohen seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve me kandidatët ndërsa deputetët kanë të drejtë të kërkojnë informacione shtesë për ta, përveç informacioneve të klasifikuara që vijnë nga organe si SHISH apo Prokuroria. Debati për këtë pikë të nenit u zhvillua dhe në frymën e rrëzimit të pesë dekreteve të fundit të Presidentit të Republikës për pesë anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Ndryshimet në rregullore

Neni 111
• Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën menjëherë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtave të Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda 30 ditëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së raportit të komisionit
• Seancë dëgjimore për të gjitha kandidaturat për të cilat Kuvendi do të japë pëlqimin apo emërimin e tij. Seanca do të zhvillohet vetëm në Komisionin e Ligjeve, i cili më pas harton një relacion, që i paraqitet seancës plenare ku edhe do të votohet
• Çdo deputet ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë për kandidatin, përveç informacioneve të klasifikuara, të cilat merren në organe të specializuara si SHISH apo Prokuroria
• Në rastet kur Presidenti, Kryeministri paraqet një kandidaturë që nuk plotëson kriteret ligjore, si për shembull vjetërsinë e kandidatit në punë etj., atëherë Komisioni i Ligjeve që zhvillon seancën dëgjimore, bën një relacion dhe ia paraqet kryetares së Kuvendit, e cila ia vë atë në dispozicion Presidentit ose Kryeministrit sipas rastit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›