E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, sulm kundër djalit të deputetit të BDI, Rafiz Aliti

Një sulm mes aktivistëve shqiptarëve të dy partive të mëdha në Maaqedoni e ka kthyer përsëri këtë vend, në një arenë dhune, që ka shkaktuar të paktën nëntë të plagosur. 

Sulmi me armë zjarri u ndërmor nga dy makina në Radushë, fshat me shumicë shqiptare. Njëri nga të plagosurit është Besfor Aliti, 25 vjeç, i biri i një politikani të BDI-së, Rafiz Aliti, i cili foli për sulm me motive politike. Thuhet se djali i deputetit të BDI-së, Aliti, ishte objektivi i sulmit të armatosur, që ndodhi të enjten në orën 23:45 para një lokali. Aliti dhe një tjetër person prej të plagosurve janë në gjendje kritike, ndërsa tre të plagosur po mjekohen nëpër shtëpi, ndërkohë të tjerët janë mbajtur në qendrën klinike, në Spitalin Ushtarak dhe atë të qytetit në Shkup. Sipas policisë lokale, ekziston dyshimi se njëri prej të plagosurve, Selam Saliu, ka marrë pjesë në grupin, i cili e ka kryer sulmin. Pjesa më e madhe e personave të dyshimtë për sulmin, për momentin janë të pakapshëm për policinë. Sipas informatave të para nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski, motivi i sulmit kanë qenë debatet paraprak midis Alitit dhe sulmuesve. Por, “Lidhur me arsyet për debatet nuk përjashtohen edhe motivet politike, pastrim hesapesh për aktet e dhunshme në periudhën parazgjedhore. Mes tyre ka pasur disa herë pastrime hesapesh”, tha Kotevski. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme maqedonase, një grup prej dhjetëra personash me automjete “Skoda” dhe “Jugo” kanë mbërritur para lokalit. Sipas ekspertizës në vendngjarje dhe rreth 30 gëzhojave të gjetura, është konfirmuar se pesë persona kanë gjuajtur drejt Besfor Alitit me armë automatike, pistoleta dhe pushkë gjuetie. Identifikimi i personave që kanë marrë pjesë në sulm do të bëhet me anë të dëshmitarëve. Pas identifikimit, pritet që kundër tyre autoritetet të marrin masa serioze. “Policia punon ekskluzivisht në bazë të informatave të dokumentuara. Do të kryhen bastisje nëpër shtëpitë e personave të identifikuar dhe nëse personat nuk gjenden, do të shpallet fletë-arresti për ta, me siguri edhe ndërkombëtar”, tha Kotevski. Sipas njoftimit të MIA, të dyshuarit për sulmin janë: Rexhep Saliu, Selam Saliu, Muamed Saliu, Emin Saliu dhe Vedat Saliu nga Radusha, të gjithë në lidhje farefisnore. Një pjesë e tyre, por edhe e të lënduarve Reshad Asani (54), Zylmi Tahiri (46), Naser Murtezani (47), Murat Ramadani (53), Jakup Ramadani (44), Bekim Farizi (36) dhe Xhevahir Selami nga Radusha, paraqiten në dosjet e MPB-së, si kryerës të disa veprave penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›