E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarë, zbulohet thesi me 20 kg kanabis

HIMARE – Zbulohet në Himarë një thes me kanabis sativa. Paraditen e djeshme, një patrullë e Policisë Kufitare ka pikasur rreth 200 

metra larg portit thesin e braktisur, brenda të cilit u gjet rreth 20 kg bimë narkotike e papërpunuar. Me dyshimin se droga mund të ishte fshehur në shkurre, në pritje për t’u trafikuar drejt Greqisë, policia e Himarës ka kërkuar ndihmë nga ajo e Vlorës, duke nisur kontrolle të imtësishme përgjatë bregdetit dhe brenda qytetit. Edhe pse pas gjetjes së lëndëve narkotike e gjithë zona përreth u kreh për kilometra të tëra, nuk u arrit të gjendej asnjë mjet lundrues që mund të kishte lidhje me këtë sasi. Një gomone, rreth 4 metra e gjatë, e braktisur në afërsi të Dhërmiut u bllokua nga policia, por sipas saj nuk dyshohet se ajo ka lidhje me drogën, për shkak të fuqisë së dobët të motorit. Hetimet po vazhdojnë për të gjetur pronarët e thesit me drogë, ndërsa në të gjithë qarkun e Vlorës forcat e policisë janë në aksion për zbulimin dhe asgjësimin e kanabis sativës. Vetëm gjatë ditës së djeshme, për 7 orë rresht aksioni u zhvillua në disa fshatra të Vlorës, duke shkatërruar rreth 730 rrënjë bimë narkotike, të mbjella në zona me shkurre dhe pa pronarë.               q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›