E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, përplasje e të shara në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës

Mazhoranca është përpjekur të shmangë kritikat e BE-së për ligjin e dosjeve, duke akuzuar PS-në se është ajo fajtore që ky proces është zvarritur prej gati 18 vitesh. Në diskutimet e drejtuesve të mazhorancës janë vënë re shenja nervozizmi, ku kanë theksuar se ligji i miratuar nga Kuvendi, i cili ka hyrë dje në fuqi, ai për pastërtinë e figurave, është një nga ligjet më të mira dhe më të plotësuara. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, duke iu drejtuar me tone të ashpra opozitës, ka deklaruar se ndryshimi mes PD-së dhe PS-së për ligjin e dosjeve, është se e djathta kërkon që hapja e këtyre dosjeve të funksionojë për sallën e Kuvendit, për prokurorët, gjyqtarët dhe për njerëz që ndodhen në majat më të larta të institucioneve, ndërsa PS-ja kërkon që dosjet të hapen për njerëz të thjeshtë. Por kjo deklaratë e Topallit është kundërshtuar nga opozita, e cila nëpërmjet nënkryetarit të grupit, Erjon Braçe, e ka kundërshtuar duke thënë se kjo nuk është e vërtetë, pasi PS-ja është për hapjen e të gjitha dosjeve, duke filluar nga Kryeministri Berisha e me radhë. Por, zëri i Braçes dhe i deputetëve të tjerë të opozitës, të cilët flisnin nga vendi, kanë rënë në vesh të shurdhër kur bëhej fjalë përballë zërit të Topallit, e cila bërtiste nga vendi i saj, duke deklaruar se sot janë në institucionet më të larta, njerëz të cilët në vitin ‘89 kanë tërhequr zvarrë rrugëve të Shkodrës dhe Sarandës, djem të rinj nënash, që tentonin të kalonin kufirin shqiptar. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, duke u rikthyer te deklaratat e BE-së për këtë ligj, i ka kërkuar mazhorancës që të reflektonte pozitivisht për këtë. Por, tha Leskaj, mesa duket mazhorancën e kanë lëshuar nervat tani në fund dhe spekulon me qëndrimin e opozitës, i cili, ka kujtuar ajo, është ai i njëjti: të hapen të gjitha dosjet, duke përfshirë edhe ata që janë në sallën e Parlamentit. Duke iu përgjigjur sulmit të opozitës, deputeti i PD-së, Bumçi, ka akuzuar kryetarin e PS-së, Rama, se nuk po lejon që të ndahet Shqipëria njëherë e mirë nga e kaluara komuniste. Por PS-ja është kundër edhe pas 18 vjetësh, kur pretendon se qeveriset nga politika e re. Ndërsa zv/kryeministri Pollo është shprehur se qeveria mirëpret çdo monitorim nga ana e Bashkimit Evropian për zbatimin e ligjit të lustracionit. Sipas tij, qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji, që çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tria shkallët e gjykatave dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. Po kështu, kundër PS-së dhe duke i bërë një koment të përciptë deklaratave të BE-së, kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, është shprehur se PS-ja mund të mburret sot se është gati të hapen të gjitha dosjet e Sigurimit, por në fakt qëndrimi i saj është i njëjtë me atë për ligjin e "imuniteteve". Ne, vijoi ai, i kuptojmë shqetësimet e partnerëve tanë euroatlantikë dhe kemi një qëndrim shumë të drejtë e të pastër për ta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›