PS: Ligji i lustracionit cenon Kushtetutën në 28 nene të saj
Mbi 30 deputetë të Parlamentit nga selia rozë dhe jo vetëm, kanë vënë firmën mbi ankimimin e opozitës dërguar Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit. Partia Socialiste, në argumentet e saja ligjore, që do t‘ia parashtrojë Gjykatës Kushtetuese, thotë se me ligjin e lustracionit Kushtetuta cenohet në 28 nene të saja, duke sjellë një rast të paprecedent, që një ligj i vetëm bie ndesh me kaq shumë nene të dokumentit themeltar. Në faqen tre të dokumentit të disponuar të plotë nga "Top Channel", ekspertët e PS-së thonë se ligji bie ndesh me nene të Kushtetutës, ku flitet për ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, me nenin e funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe patundshmërisë së gjyqtarit. Gjithashtu bie ndesh edhe me një sërë të drejtash të tjera themelore, siç janë e drejta për punë, e drejta për të mbrojtur nderin njerëzor, të drejtën për t‘u prezumuar i pafajshëm, të drejtën për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t‘u zgjedhur. Në argumentet e PS-së, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, thuhet gjithashtu se ligji bie ndesh edhe me parimet e Këshillit të Evropës, të mishëruara në Rezolutën e Këshillit të Evropës e miratuar më 1996-ën. Konkretisht, PS-ja rendit antikushtetueshmërinë e dispozitave të ligjit me çështjen e mbarimit të mandateve, për çështjen e konfliktit të interesit dhe përmes një argumentimi të gjatë kërkon edhe pezullimin e tij. PS-ja rendit gjithashtu edhe faktin se Shqipëria është përfshirë në një proces lustracioni përmes disa ligjeve të miratuara në vitet ‘93, ‘95, ‘97, ‘98 nga mazhoranca dhe opozita e sotme e procesi siç ishte parashikuar zgjati deri në vitin 2001. Në këtë kontekst, kjo rihapje e procesit të lustracionit nga mazhoranca e djathtë thuhet në kërkesë, pikërisht gjashtë muajt e fundit të mandatit të saj, nuk është gjë tjetër veçse mjet për të luftuar kundërshtarët politikë, për të seleksionuar kandidatët në zgjedhje dhe për të goditur institucionet në përgjithësi dhe ato të drejtësisë në veçanti, kur eksponentë të mazhorancës janë nën akuza të rënda për korrupsion e shpërdorim detyre.