E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Hysenbelliu firmos me Totenhemin

 

Talenti shqiptar, Fatmir Hysenbelliu, ka firmosur me klubin e njohur anglez të Totenhem Hotspur. Futbollisti i ri ka firmosur një kontratë 3-mujore, kohë gjatë të cilës do të jetë në provë, megjithëse duket se drejtuesit e klubit anglez kanë krijuar që tani një përshtypje mjaft të mirë për sulmuesin e talentuar shqiptar. Lajmi është konfirmuar për “Panorama” nga menaxherët e Hysenbelliut. 16-vjeçari ka nisur menjëherë stërvitjen me ekipin U-18 të Totenhemit, që drejtohet nga trajneri Chris Ramsey. Një koincidencë e bukur ka ndodhur në momentin e firmosjes së kontratës me Totenhemin, pasi Hysenbelliu është përballur në zyrat e klubit londinez me Robi Kinin. Kalimi i sulmuesit irlandez te Totenhemi ka qenë edhe transferimi më i bujshëm i merkatos dimërore në Angli. Për t’u përmendur fakti se Kin është transferuar në fillim të sezonit te Liverpuli për një shumë të majme prej 20 milionë paundësh (afërsisht 26 milionë euro), mirëpo në ditët e fundit të merkatos dimërore u huazua te Totenhemi. Kin dhe Hysenbelliu kanë firmosur njëkohësisht kontratat respektive në të njëjtat ambiente të klubit. Pas kësaj, Robi Kin i ka shtrënguar dorën sulmuesit shqiptar, duke i uruar suksese në karrierën e tij në futbollin anglez. Një urim Hysenbelliu ka marrë edhe nga një tjetër futbollist i njohur i Totenhemit, Xhërmein Xhenas, i cili e ka përgëzuar sulmuesin shqiptar për zgjedhjen e bërë. Ditët e para të stërvitjes te Totenhemi ka qenë mjaft pozitive, ashtu siç edhe thotë vetë Fatmir Hysenbelliu në një prononcim për “Panorama”. “Vija nga një periudhë dëmtimi, por tregova formë të mirë në stërvitje, duke marrë edhe komplimentet e stafit teknik. Personalisht jam shumë i kënaqur për këtë mundësi që më është dhënë, pasi klubi i Totenhemit është një emër i madh në futbollin anglez. Mjafton të shohësh ambientet e klubit dhe stafin që punon këtu, për të kuptuar se sa prestigjioz është emri i Totenhemit”, - tregon vetë Fatmiri në linjë telefonike. Gjatë periudhës që do të jetë në provë, ai do të aktivizohet rregullisht në ekipin U-18 të Totenhemit, edhe pse është në moshë më të vogël. Në përfundim të kësaj prove, pritet që atij t’i ofrohet një kontratë afatgjatë dhe profesioniste. Të shtunën pritet që sulmuesi shqiptar të vihet para një prove të vërtetë, teksa do të luajë me ekipin U-18 të Totenhemit ndaj Koventrit. Pasi ka kaluar fëmijërinë te skuadrat e Partizanit dhe Olimpikut të Tiranës në Shqipëri, Hysenbelliu shkoi në Angli, me synimin e vetëm që të kalonte në një klub me emër. Kohët e fundit ai është stërvitur në Akademinë e Uest Hemit, nën urdhrat e trajneri Tony Carr. Hysenbelliu ka qenë titullar fiks në skuadrat ku ka luajtur, ndërkohë që ka shënuar rregullisht gola. Mjafton të përmendësh disa shifra për të kuptuar nivelin e futbollistit shqiptar. Në 20 ndeshje zyrtare me Partizanin ka shënuar 15 gola, ndërsa në 53 takime me Olimpikun ka realizuar plot 41 gola.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›