E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renaldo Rama kalon te Koblenzi për 800 euro

 

Jetmir Halilaj

Renaldo Rama ka nënshkruar dje për klubin gjerman të Bundesligës 2, TUS Koblenzin. Talenti 19-vjeçar ka bindur drejtuesit e skuadrës dhe në veçanti trajnerin Uve Rapolder, i cili ka këmbëngulur që ta ketë në dispozicion lojtarin. Interesant është fakti që Koblenzi ka arritur të blejë kartonin e futbollistit për një shumë prej 800 eurosh. Këtë e ka pohuar vetë kreu i pankinës, Rapolder. Ja si u shpreh ai menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes: “Kemi marrë në skuadër tre futbollistë interesantë si Renaldo Rama 19 vjeç, Darko Maletiç 28 vjeç dhe Majkëll Stahl 21 vjeç. Ata nuk janë ende në gjendje të luajnë me ekipin e parë. Por ama të gjithë janë djemtë e së ardhmes dhe mendoj se nuk duhet të harrojmë se për secilin prej tyre nuk shpenzuam më shumë se 800 euro. Rama është më shumë individualist, por bën gjëra të pabesueshme me topin”, qe komenti i teknikut gjerman. Mesfushori i Kombëtares shqiptare U-21 është formuar si futbollist te të rinjtë e Olimpiakosit, por kartonin e tij e ka zotëruar klubi i Gramozit në Kategorinë e Dytë.
Hanoveri
Koblenzit iu desh të fitonte duelin me klubin e Hanoverit për të marrë kartonin e 19-vjeçarit shqiptar. Rama u testua disa ditë edhe te skuadra e Altin Lalës, dhe megjithëse la një përshtypje shumë të mirë, nuk arriti një akord me drejtuesit e klubit. Një rol të rëndësishëm në transferimin e talentit shqiptar te Koblenzi, e ka padyshim edhe ish-sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Fatmir Vata, i cili aktivizohet prej dy sezonesh në këtë skuadër dhe gëzon një autoritet të madh. Ndërkaq edhe Altin Lala gjatë kohës që Rama testohej te Hanoveri foli me superlativa për mesfushorin, madje ka thënë se është një nga lojtarët e rinj shqiptarë më të talentuar.
Shkëlqimi
Dy javë më parë, Renaldo Rama shkëlqeu në një ndeshje testuese me Koblenzin, madje shënoi dy gola e dha dy asiste në fitoren 5-0 të kësaj skuadre kundër SV Rosbah. Gjatë atij testi, ai mrekulloi trajnerin Uve Rapolder, madje ky i fundit i kërkoi menjëherë lojtarit që të firmoste. Mesfushori 19-vjeçar është vlerësuar shpesh nga media greke në të kaluarën si një nga të rinjtë më të mirë te Olimpiakosi. Këmba e tij e preferuar është e majta, por përdor mjaft mirë edhe të djathtën. Rama dallohet për teknikën, shpejtësinë dhe nuhatjen për gol.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›