E Shtunë, 31 Tetor 2026

Januzi merr pasaportën, gati për Kombëtaren

 

Ahmed Januzi, sulmuesi 20-vjeçar i Vorskla Poltavës, mund të luajë me Kombëtaren kuqezi, pasi dje është pajisur me pasaportë shqiptare. Talenti nga Prishtina do të ngujohej në Shqipëri, sikur zyra për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit në Tiranë të mos përkujdesej për pajisjen e tij me pasaportë. Sulmuesit kosovar të skuadrës ukrainase i kishte skaduar afati i pasaportës së vjetër të ish-Jugosllavisë dhe mundësia për të lëvizur i ishte pamundësuar. Ai e ka vlerësuar momentin e marrjes së pasaportës si ditë të madhe dhe plotësim të një ëndrre. “Ndihem i lumtur dhe shumë krenar. Është një ëndërr që më në fund bëhet realitet. Dua të falënderoj shumë njerëz dhe nuk e di kë të parin. Duke nisur nga Besnik Çela i federatës, Presidentin e Republikës Topi, trajnerin Artan Bushati dhe presidentin e federatës, Duka. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Januzi dje. Pasi u testua në një miqësore kundër Maqedonisë, ai bindi trajnerin e Shpresave, Artan Bushatin. Ky i fundit kishte insistuar tek FSHF-ja që të nisin procedurat për pasaportën e Januzit. “Të luaj me fanellën e kombëtares është gjëja më e bukur që mund të më ndodhë dhe shpresoj që ta meritoj në të ardhmen. Pastaj, në këto momente ishte edhe e domosdoshme, sepse më kishte skaduar pasaporta dhe nuk mund të kthehesha më në Ukrainë. Kështu që edhe njerëzve të klubit dhe trajnerit iu bë shumë qejfi që mora pasaportën shqiptare”, ka shtuar 20-vjeçari. Te Vorskla luajnë edhe Armend Dallku e Debatik Curri. Ata kanë promovuar talentin tek autoritetet e futbollit në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›