E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, fermerët në protestë: Stop, importit të produkteve "të tyre"

Fermerët e fushës së Korçës janë hedhur në protestë për prodhimet e tyre bujqësore, që janë duke iu dekompozuar. Protesta është zhvilluar gjatë paradites së djeshme në tregun e shumicës të fruta-perimeve në qytetin e Korçë, ku mbi 50 fermerë kanë kërkuar vëmendjen e shtetit për të ndërprerë importin e të njëjtave produkte nga Maqedonia fqinjë dhe Kosova gjithashtu, ndërsa me qindra tonë të prodhimeve të tyre janë duke iu prishur nëpër magazina. Madje ata kanë hartuar një peticion me më shumë se 50 firma ku kërkojnë ndërhyrjen e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Korçë, por dhe të strukturave të tjera shtetërore, duke iu drejtuar peticionin e tyre dhe Këshillit të Qarkut dhe institucionit të prefektit për ti dhënë një zgjidhje ekzistencës së tyre që lidhet me shitjen e prodhimeve, me të cilat jetojnë ata dhe familjet e tyre. Janë me qindra tonë patate, mollë, qepë por dhe prodhime të tjera bujqësore që kanë nisur t'iu dekompozohen në ambientet ku ata i mbajnë, teksa nga ana tjetër ndonëse çmimi i shitjes është shumë i ulët konkurrohet nga importi që servir të njëjtat produkte madje jo bio me çmime edhe më të favorshme. Situata në tregun e shumicës në Korçë duket se është e rënduar, ndërsa pas protestës së parë fermerët kanë kërcënuar se do të bllokojnë rrugën nacionale Korçë-Tiranë për të kthyer dhe vëmendjen e strukturave shtetërore. Fatri Ramolli ka treguar për gazetën se kultivon mollë çdo vit. Ndërsa aktualisht mund të ketë më shumë se 200 kv mollë të kualiteteve të ndryshme të pashitura ka mundur të shesë vetëm 100 kv prej këtij prodhimi. Madje Ramolli tregon për gazetën se ai ka shpenzuar më shumë se 5 milion lekë, ndërsa nuk ka mundur të marrë as shpenzimet, ndonëse ka pasur një prodhim shumë të madh gjatë këtij viti. Duket se shqetësimi është i njëjtë për të gjithë, ndërsa fermerët vijnë nga fshatra të ndryshme si nga fshati Mollaj, Kamenicë, Bulgarec, deri dhe Sovjan, Zvirinë etj. Fermerët thonë se hyrja nga Maqedonia dhe Kosova e këtyre prodhimeve si mollë, patate, qepë, lakër etj., i ka konkurruar çmimet e tyre, ndonëse 1 kg mollë në tregun e shumicës në Korçë arrin nga 15-25 lekë, ndërsa 1 kg patate nga 17-25 lekë, 1 kg qepë 10-15 lekë etj,. Situata është alarmante, ndërsa ata kanë hartuar fillimisht me një peticion me rreth 50 firma duke e adresuar në institucionet kryesore të Korçës, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzimin e protestës së tyre. Ata kanë pohuar se brenda javës nëse nuk do të jetë një tjetër politike nga ana e shtetit për këto prodhime që atyre iu kushtojnë jo vetëm një vit punë, por dhe mjaft shpenzime dhe një lodhje të jashtëzakonshme do të bllokojnë aksin kryesor nacional Korçë-Tiranë deri dhe hedhjen në një grevë urie.

Email This Klikime: 13

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›