Dosjet sekrete të komunizmit nuk hapen
Dosjet sekrete të komunizmit do të mbeten ende nëpër arkivat e institucioneve të klasifikuara, ndërkohë që do të hapen dosjet e tjera që nuk konsiderohen “Top sekret”. Kanë qenë deputetët e Komisionit parlamentar të Ligjeve që e kanë bërë të ditur këtë gjë, gjatë diskutimit mbi projektligjin që rregullon ngritjen e institutit për krimet e komunizmit. Në mbledhjen e djeshme është debatuar gjatë mbi datën e mbylljes së diktaturës komuniste në vend, që në fakt përbën një debat të vjetër në politikën shqiptare. Disa deputetë të Partisë Demokratike kanë propozuar si ditë të mbylljes së komunizmit në Shqipëri datën 22 mars të vitit 1992, kur Partia Demokratike fitoi dy të tretat e vendeve në Parlamentin shqiptar. Por deputeti i LSI-së, Nasip Naço, theksoi se dita e përshtatshme për t’u caktuar si mbyllje e diktaturës është 8 dhjetori, kur është zhvilluar demonstrata e studentëve që i dha fund sundimit të pushtetit të një partie në Shqipëri.
#