E Diel, 1 Nëntor 2026

Spoti i Zgjohu nuk shkel ligjet

KKRT

Spoti televiziv i lëvizjes “Zgjohu”, me karakter interpretativ dhe denoncues për protestat e opozitës nuk vjen në kundërshtim me ligjin. Pretendimet e përfaqësuesit socialist, deputetit Fatmir Toçi një ditë më parë, janë hedhur dje poshtë nga zëdhënësja e Këshillimit Kombëtar të Radiotelevizionit, Valbona Lisha. “KKRT-ja mbas vizionimit të kryer, gjykon se reklama e transmetuar në disa media elektronike nuk ushtron ndikim në përmbajtjen e programeve, nuk nxit pornografinë dhe dhunën, nuk është reklamë e tërthortë, nuk është reklamë e ndonjë partie apo shoqate politike dhe as nuk bie në kundërshtim me ligjet në fuqi. KKRT-ja është e mendimit se reklama në fjalë, nën siglën e lëvizjes ‘Zgjohu’, e cila pas verifikimit tonë rezulton të jetë një bashkim vullnetar individësh, synon të ndërgjegjësojë opinionin publik për një fenomen mjaft të mprehtë të shoqërisë shqiptare: luftën kundër korrupsionit”, theksoi Lisha. Reagimi i saj pasoi akuzat e deputetit të PS-së, Toçi, i cili e cilësoi spotin si antireklamë, tendencioz dhe i realizuar me infrastrukturë qeveritare, meqenëse pamjet filmike janë xhiruar nga selia e Kryeministrisë. Ndërkohë zëdhënësja e KKRT-së ka bërë të ditur se për të mbyllur debate të kësaj natyre që u verifikuan edhe në fushatën e fundit elektorale, ky institucion ka propozuar një nismë ligjore të posaçme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›