E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Mikun e Mediut për drogë e kapi policia, jo Prokuroria

11/04/2012  Ndalimi pas konsultimit me listat e Interpolit

Prokuroria e Përgjithshme shfajëson veten nga arrestimi i mikut të Fatmir Mediut në Fier, duke pohuar se arrestimi ka qenë vepër e policisë. Vetëm një ditë nga ndalimi i tij, është vënë në dyshim procedura e ndjekur ashtu sikurse në çdo moment institucionet nuk ngurojnë të tregojnë përplasjet mes tyre. Në lidhje me arrestimin e Fatmir Kajollit, këshilltar i Partisë Republikane në Fier dhe mik i kryetarit të PR Mediu, Prokuroria shpërndau dje një reagim zyrtar.

“Lidhur me disa deklarime që kanë të bëjnë me çështjen e arrestimit të shtetasit Fatmir Kajolli, Prokuroria e Përgjithshme ndihet e detyruar t’i bëjë me dije opinionit publik se shtetasi i sipërpërmendur është në listën e personave të shumëkërkuar ndërkombëtar, pas vendimeve gjyqësore që ka marrë drejtësia italiane për vepra penale të kryera në këtë vend”, nis deklarata. Për sa më sipër, për të sqaruar edhe procedurën që ndiqet në këto raste, personat që janë në kërkim ndërkombëtar shpallen si të tillë nga Zyrat Kombëtare të Interpolit të çdo vendi. Zyra Kombëtare e Interpolit Tiranë, e cila është pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit shqiptar, disponon për pasojë në lista të plota dhe të detajuara, të gjithë emrat e personave në kërkim ndërkombëtar.

“Në bazë të kësaj praktike, strukturat e Policisë së Shtetit mund të konsultohen në çdo kohë me këto lista dhe mund të veprojnë me inicativën e tyre për arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar, pasi kjo është në kompetencën e tyre të plotë. Në këto kushte, sqarojmë opinionin publik, se Prokuroria Shqiptare, nuk është institucioni të cilit autoritetet e huaja i komunikojnë listën e personave në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›