E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga te “Piaca“ mikut të Shullazit, tenton të largohet

11/04/2012  Ferhati i shumëkërkuar nga Interpoli, lidhja me Shullazin

Antidroga e Tiranës arrestoi dje një tjetër mik të Emiljano Shullazit, të shumëkërkuarin Ervin (Ergys) Ferhati, pasi ishte i shumëkërkuar nga Interpol-Roma për disa vepra penale. Ferhati, i dënuar me 20 vjet burg për “Pastrim Parash”, “Trafik Narkotikësh” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, bridhte i lirë në Tiranë prej shumë vitesh. Burimet të mirëinformuara pranë Policisë së Shtetit thanë se ai po udhëtonte me një mjet tip “Ford Escord”, me targa të huaja, në qendër të Tiranës, pranë zonës së “Piacës”, kur ekspertët e Antidrogës së Tiranës i kanë hedhur prangat. Në atë moment 32-vjeçari Ferhati tentoi t’u shpëtonte forcave të policisë, por pa sukses. Gjatë kontrollit në makinë nuk iu gjet armë, por një e tillë iu gjet banesën e tij me qira në rrugën “Don Bosko”. Ferhati ndërronte shpesh vendbanim, për t’i shpëtuar kapjes nga policia, por gjithashtu ai ndërronte edhe makinat shumë shpesh, ashtu siç edhe emrin e kishte bërë Ergys. Megjithatë, pas verifikimit të vendbanimit dhe mjeteve me të cilat ai udhëtonte, seksioni i Antidrogës në kryeqytet organizoi operacionin për arrestimin e tij. Ndaj 32-vjeçarit, aktualisht po kryen veprimet e tjera procedurale mbi dërgimin e tij, në vendin e vuajtjes së dënimit. Ky është personazhi i tretë që ka lidhje me Emiljano Shullazin, pasi pak javë më parë atij i vranë mikun Arling Fuga, pak ditë më parë i bënë atentat mikut Pajtim Serjani dhe tani i arrestojnë mikun Ferhati.

Lidhja me Shullazin

Ervin Ferhati ishte pjesë e rrjetit të Emiljano Shullazit, që dyshohet se trafikoi të paktën 150 kg heroinë në Itali. Në operacionin “Identikit”, dy ishin VIP-at e kapur, Emiliano Shullazi dhe Ervin Ferhati. Episodet ku sipas Prokurorisë, përmendet Ferhati janë regjistruar në vitin 2004, me të pandehurit Erges Ymeraj, Landi Baçi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, si dhe me korrierin Nevzdet Haziri, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar 10 kg heroinë. Droga është furnizuar nga Turqia dhe përmes Shqipërisë është eksportuar në Milano, Itali. Më datë 18 shtator 2004, gjatë kontrollit të ushtruar në autoveturën me targa kroate ZG2879 K, me të cilën ka qenë duke udhëtuar korrieri Nevzdet Haziri, janë gjetur dhe sekuestruar 20 pako me peshë totale 10 kg. Lënda narkotike ishte e destinuar për të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi. Sipas Prokurorisë, episodi i dytë datonte në periudhën 18-21 gusht 2004, të pandehurit Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Ervin Ferhati, Emiljano Shullazi në bashkëpunim me furnitorin turk "Mehmet" kanë trafikuar 11 kg heroinë. Në periudhën 28-29 shtator 2004, Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Selfo Driza, Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, kanë trafikuar në territorin e shtetit italian 15 kg heroinë. Më 25 tetor 2004 dhe 1 nëntor 2004, u Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me Ardit Beratin dhe furnitorin turk me emrin Mehmet, me anën e korrierit Branko Govedarovich, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar në Itali 11,2 kg heroinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›